Sot është dita e fundit e sezonit aktual futbollistik, ndërsa nga nesër nis zyrtarisht sezoni i ri.
Për Dinamon kjo datë sjell edhe ndryshime konkrete në organikë, pasi dy prej lojtarëve të rëndësishëm të sezonit të kaluar nuk janë më pjesë e skuadrës. Me përfundimin e kontratave të tyre, Andre Teikseira dhe Dejvi Bregu largohen zyrtarisht nga blutë dhe tashmë janë lojtarë të lirë, edhe pse dy lojtarët nuk janë stërvitur me skuadrën në këtë fazë përgatitore.
Të dy futbollistët kanë pasur një rol të rëndësishëm në sezonin e fundit të Dinamos. Teikseira ishte një nga lojtarët më të përdorur në prapavijë, duke regjistruar 28 ndeshje dhe 2400 minuta në kampionat, ndërsa shënoi edhe 3 gola. Ndërkohë Dejvi Bregu ishte një nga figurat kryesore të skuadrës.
Sulmuesi mbylli sezonin me 34 ndeshje, 2838 minuta dhe 10 gola në Superiore, duke qenë një nga pikat më të rëndësishme të repartit ofensiv.
Nga nesër nis zyrtarisht sezoni i ri dhe Dinamo hyn në një periudhë ndryshimesh, ku krahas përgatitjeve për sfidat europiane, klubi duhet të plotësojë edhe boshllëqet e krijuara nga largimet. Teikseira dhe Bregu janë dy nga emrat e parë që tashmë nuk bëjnë më pjesë në organikën e re të bluve, duke lënë padyshim mangësi të mëdha në skuadër duke qenë se ishin ndër lojtarët më të rëndësishëm.
