Analisti Lutfi Dervishi, ka sjellë një panoramë të fushatës elektorale të 14 majit. Në analizën e tij, analisti Dervishi shpjegon arsyet që sipas tij nuk ka pasur debate në këtë fushatë.

Ai thekson se nuk ka arsye për debat, kur sot pas 30 vitesh problemet janë po të njëjtat, duke filluar nga uji i pijshëm, çerdhet, shkollat, infrastrukturat, taksat e biznesit si edhe shumë të tjera.

“Zotërinjtë e vërtetë nuk shahen më në televizion dhe në sheshe, por në Facebook, instagram, tik tok. Është provuar se zgjedhjet fitohen duke mos folur asnjëherë seriozisht. Nëse zbulohen, sot, gjithë planet në fushatë, me çfarë do të surprizohen votuesit nesër në qeverisje? Këtë radhë fushata përkoi me gjysmëfinalet e Champions League dhe çerek finalet e Europa League. Për më tepër treçereku fushatës përkoi edhe me “Big Brother”, shkruan analisti Dervishi.

Statusi:

Arsyet pse nuk pati debate në fushatë!

E para, nuk ka pse të bëhet debat, kur prej 30 vjetësh problemet jane po ato:, uji i pijshëm, çerdhe, shkolla, infrastruktura, taksat e biznesit etj.

E dyta, debati është një gjë e vjetër që i përket së shkuarës, më saktë shekulli XX. Sot është koha për këngë, valle, dhe në zgjedhjet e ardhshme mund të kalojmë te baleti dhe opera.

E treta, debati është humbje kohe. Marksi në shekullin e XIX thoshte se njeriu është kapitali më i çmuar. Sot kapitali më i çmuar është koha e njeriut. Njerëzit janë të zënë me probleme më të rëndësishme në rrjetet sociale!

E katërta, zotërinjtë e vërtetë nuk shahen më në televizion dhe në sheshe, por në facebook, instagram, tik tok. .

E pesta, është provuar se zgjedhjet fitohen duke mos folur asnjëherë seriozisht.

E gjashta, nëse zbulohen, sot, gjithë planet në fushatë, me çfarë do të surprizohen votuesit nesër në qeverisje?

E shtata, këtë radhë fushata përkoi me gjysmëfinalet e Champions League dhe çerek finalet e Europa League. Për më tepër treçereku fushatës përkoi edhe me Big Brother.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb