GJKKO lë në burg 6 të arrestuarit nga operacioni i SPAK “Metamorfoza”, teksa 9 të tjerë janë në kërkim. Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën paraprake për të pandehurit, biznesmenin Pëllumb Gjoka, i cili dyshohet për vrasje me paramendim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ish-shefin e Forcave Operacionale Oltion Bistri, i cili dyshohet për shpërdorim detyre dhe zbulim të akteve sekrete; kryeprokurorin e Kukësit Xhevahir Lita dhe 3 të tjerë, i dyshuar për korrupsion.

Një tjetër i dyshuar për të cilin u caktua masa e sigurisë arrest me burg Ardit Hasanbega. Pas hekurave është dhe Astmer Bilali, krahu i djathtë i grupit kriminal Bajri. Behar Bajri, Prek Kodra, Aleks Deda, Ervis Martinaj etj janë në kërkim.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Pëllumb Gjoka dhe të dyshuarit e tjerë, kanë pretenduar se nuk kanë përdorur asnjëherë aplikacion sky dhe se nuk kanë asnjë lidhje me kodet që pretendon SPAK.

Në nisje të seancës avokatët e të dyshuarve kërkuan 2 orë kohë për të lexuar dosjen voluminoze prej 126 faqesh, ndërsa GJKKO ka pranuar kërkesën, teksa më pas u dha vendimi.

Kujtojmë se policia dy ditë më parë ndërmori një aksion të shtrirë në disa zona të vendit, ku u ushtruan 16 kontrolle në banesa dhe u sekuestruan para, armë, maska e kamera. Ky grup kriminal akuzohet për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb