Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, reagon pas shifrës rekord të viktimave nga koronavirusi, të shënuar ditën e sotme.

Manastirliu shkruan në “Facebook” se sot më shumë se kurrë, gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Mesazhi i Manastirliut:

Sot Shqipëria shënoi numrin më të lartë ditor të viktimave nga Covid-19. Një fakt që reflekton shtimin e numrit të të infektuarve gjatë dy javëve të fundit. Sot më shumë se kurrë, gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Armët që ka sot e gjithë bota janë zbatimi i tre rregullave:

#MASKA, #DISTANCA, #HIGJIENA. A po i zbatojmë ato, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit e dashur dhe për të treguar solidaritetin me autoritetet shëndetësore, në këtë luftë të paprecedentë për jetën? Pyeteni veten ju lutem, çdo herë që dilni nga shtëpia: A jam duke i përdorur këto armë? Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të Covid-19.

Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur. Ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin që mundemi, duke mos kursyer asgjë nga kapacitetet tona, të cilat siç e dini, nuk janë të pafundme. Por siç e kam përsëritur me dhjetëra herë: Përhapja e virusit nuk parandalohet në spitale. Atë e ka në dorë gjithësecili prej jush!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb