TIRANE

Mbyllet zyrtarisht afati që prokurorët të kandidojnë për të qënë pjesë e Prokurorisë Speciale që pritet të hetojë rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Në përfundit të afatit rezultojnë 27 prokurorë në garë për 15 vende në SPAK.

Në një intervistë për gazetaren e Klodiana Lala, Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi thotë se kandidimi i 27 prokurorëve është lajm i mirë, duke u nisur nga skepticizmi që kanë edhe për shkak të vettingut.

“Është numër i mjaftueshëm për ne. E kuptoj hezitimin e prokurorëve, është bërë shkas edhe procesi i vettingur për një lloj skepticizmi të tillë. Fakti që kemi 27 kandidatë është lajm i mirë. Na takon neve që të zgjedhim tani më të mirët mes tyre”, tha Ibrahimi.

Për tu përzgjedhur, Ibrahimi tha se ka kritere të shumta që nisin që nga aftësia për të hetuar me eficencë, për të qënë në gjendje të konfiskojnë pasurinë e krimit, për të treguar integritet etje.

I pyetur nga gazetarja Lala se si do të procedohet me kandidatët, pasi deri më tani vetëm 5 prej tyre e kanë kaluar Vetingun, Ibrahimi sqaroi se: “Kjo çështje do gjejë rregullim sipas ligjit. Kemi të bëjmë me një ngritje në detyrë ne do presim vettingun për të gjithë”,- tha ai.

Por sa do të duhet të presim që të kemi një Prokurori Speciale funksionale? Ibrahimi nuk dha një datë të saktë, por sqaroi se duke parë volumin e dosjeve do të marrë disa muaj kohë.

“Duke pasur parasysh volumin e madh, 10 dosje për çdo kandiat pra 270 dosje dhe faktin se nuk kemi mbështetje administrative dhe financiare, pra kjo do marrë kohë. Mund të marrim disa muaj në fund ne do ja dalim të bëjmë më të mirën”,- vijoi ai.

Ai nuk nguroi të japë edhe një lajm të mirë, sa i përket pagës së prokurorëve që do zgjidhen në SPAK. “E them me siguri që prokurorët e ardhshëm do kenë paga 50% më të larta se të prokurorëve aktualë”,- tha Ibrahimi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb