Gjatë protestës kombëtare që po zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së kryeministrisë, një prej të rinjve që ka marrë fjalën në tribunë ka lëshuar një apel të fortë dhe të papritur drejtuar SPAK. Ai i ka kërkuar prokurorëve të posaçëm të veprojnë me guxim për të garantuar që ky revolucion qytetar të ecë përpara në rrugë legjitime dhe paqësore.
I riu ka marrë si shembull figura të larta të historisë kombëtare, duke theksuar se institucionet e reja të drejtësisë kanë tani në dorë shansin historik për të ndryshuar fatin e vendit për hir të brezave që po rriten.
“Kam një thirrje për SPAK. Që ta bëjë të mundur që ky revolucion të ndodhë paqësisht! E kam hero Adem Jasharin, Spak sot ka mundësi të bëhet hero për fëmijët tanë, që kur të rriten të gëzojnë Shqipërinë e Re që duam të ndërtojmë”, u shpreh ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në shesh.
Më tej, protestuesi u tregua mjaft i prerë në mesazhin e tij, duke kërkuar që drejtësia të mos ndalet përpara asnjë emri apo posti politik, qofshin këta zyrtarë të lartë të mazhorancës apo eksponentë të opozitës.
Sipas tij, pastrimi i skenës politike nga figurat e vjetra është i vetmi kusht që vendi të shkojë drejt një epoke të re zhvillimi.
“Hetoni Edi Ramën, hetoni ministrat e tij, çojini në burg sepse arrestimi i Edi Ramës do t’i hapte rrugë Shqipërisë së Re, patjetër edhe Sali Berishën!”, deklaroi i riu nga foltorja përpara bulevardit.
