Këtë të hënë mbientalistë, qytetarë dhe aktivistë kanë organizuar një protestë para KESH ku kërkojnë heqjen e teceve lundrues nga Gjiri i Vlorës pasi kanë kosto të larta ekonomike dhe mjedisore.
Ambientalisti Lavdosh Ferruni ka hedhur akuza të forta ndaj KESH-it dhe institucioneve shtetërore gjatë protestës së zhvilluar para godinës së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, duke kërkuar që të mos procedohet me marrjen në dorëzim të TEC-eve lundruese të njohura si “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.
Sipas Ferrunit, planet për zgjerimin e infrastrukturës energjetike në Gjirin e Vlorës, me TEC-e të tjera dhe terminale gazi, përbëjnë një “masakër mjedisore dhe ekonomike”. Ai u bëri thirrje drejtuesve të KESH-it të reflektojnë dhe të tërhiqen nga çdo vendim që, sipas tij, do të çonte në shndërrimin e zonës në një qendër të rëndë industriale.
Ambientalisti drejtoi akuza edhe ndaj administratores së KESH-it, Vjola Haxhiademi, duke e konsideruar përgjegjëse si për procesin aktual, ashtu edhe për vendimmarrjet e ndërmarra që nga viti 2021, kur, sipas tij, u konceptua projekti. Ferruni kujtoi se në janar 2022 ajo mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke pretenduar se ka përgjegjësi për kontratën e firmosur në atë periudhë.
Ai e cilësoi kontratën për TEC-et lundruese si “poshtëruese”, duke pretenduar se një amendament i saj detyron KESH-in që, në përfundim të kontratës së qirasë, t’i marrë asetet në pronësi për 1 euro.
Ferruni kritikoi ashpër edhe kostot e projektit, duke deklaruar se TEC-et u sollën me argumentin e një emergjence energjetike, por, sipas tij, qëndruan të papërdorura për rreth dy vite. Ai pretendoi se kostoja e prodhimit të energjisë me naftë nga këto impiante është shumë më e lartë se çmimi i energjisë në treg, ndërsa përmendi edhe tenderin për mirëmbajtjen, të cilin e cilësoi si një tjetër shpenzim të pajustifikuar.
Gjatë fjalës së tij, Ferruni u bëri thirrje drejtuesve të KESH-it të “reflektojnë dhe ta refuzojnë” marrjen në dorëzim të TEC-eve, ndërsa protestuesit përsëritën sloganin: “Reflekto, refuzo!”
Në fund, ai i kërkoi edhe ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara që, sipas deklaratave të tij për luftën kundër korrupsionit, ta nisë këtë betejë me hetimin e çështjes së TEC-eve lundruese në Vlorë. Ferruni deklaroi se pret që organet e drejtësisë të hetojnë përgjegjësit institucionalë, duke pretenduar se dëmi ekonomik për taksapaguesit shqiptarë i kalon 100 milionë euro. Ai paralajmëroi gjithashtu se projektet për ndërtimin e TEC-eve të reja dhe terminaleve të gazit në Gjirin e Vlorës do të rëndonin më tej ndikimin mjedisor në këtë zonë.
Fjala e Ferrunit:
Ai veprimi i tmerrshëm që po përgatisni që ta pushtoni gjirin e Vlorës me TEC-e të tjera, me terminale gazi e kështu me radhë. Kjo do të ishte e pafalshme për ju. Prandaj ju duhet të reflektoni, të reagoni dhe të hiqni dorë nga ajo që po përgatisni këto ditë për të marrë në dorëzim KESH, për të marrë në dorëzim Tigrin 1 dhe Tigrin 3, që gjoja i keni aty për raste emergjente. Ju zonja Vjola, që jeni administratore e KESH-it, jeni direkt përgjegjëse jo vetëm për aktin që prisni të bëni këto ditë, por jeni përgjegjëse që nga viti 2021 që është konceptuar kjo masakër mjedisore dhe ekonomike dhe në janar të 2022-shit ju keni qenë sekretare e përgjithshme e Ministrisë së zonjës Balluku dhe keni pa dyshim përgjegjësi për këtë kontratë që është bërë në atë periudhë. Një kontratë poshtëruese dhe ja pse është poshtëruese kontrata që ju keni bërë që në 2022-shin dhe që e ka firmosur paraardhësi juaj Ergys Verdho.
Në këtë kontratë poshtëruese ju thoni që është këtu një kopje e kontratës dhe e japin dhe mediat, është një amendament që KESH-i me mbarimin e kontratës qirasë, është në mënyrë absolute i detyrueshëm që ta marri këtë me 1 euro. Dhe ne jemi këtu sot që të themi, mos e bëni këtë gabim fatal! Mos përsërisni gabimet që keni bërë që nga viti 2022, që keni marrë këto karakatina nga Bangladeshi dhe i keni akoma aty dhe doni t’i mbani aty për të vjedhur shqiptarët në vijim, në vazhdim për shumë e shumë vite të tjera. Kjo që ju po bëni është në vazhdim të vjedhjeve që janë bërë me këto tigrat këto vite, që i kalojnë të 100 milionë euro. Realisht ajo që ndodhi, ju i sollët këto tece gjoja për emergjencë. Po emergjenca zgjati 2 vjet derisa më në fund i ndezën këto. Kjo nuk është emergjencë, kjo është një spekulim i pastër, një vjedhje e pastër do të thoshim për arsye se nuk ka asnjë lidhje me emergjencën. Dhe prapë nuk ka asnjë lidhje me emergjencën.
Tani që është edhe kriza e naftës, normalisht duhet që këto të ishin shpëtimtarë këto tigrat, por realisht ajo që po ndodh është që çmimi në treg është më pak se 100 euro për megavat orë, kurse vetëm nafta për të djegur ky tec është 200 euro për një megavat orë, vetëm nafta. Po mirëmbajtja, që keni bërë atë tenderin tjetër tani 20 milionë euro, si bëhet? Çfarë vjedhje është e pastër kjo?
Atëherë në këtë rast juve duhet vetëm të bëni një gjë, një akt të fundit për të shlyer gabimet e mëdha që keni bërë në gjithë këto vite, është të reflektoni dhe ta refuzoni. Prandaj unë do të thërras këtu bashkë me këto kolegët që kemi ardhur nga Vlora, reflekto, refuzo. Reflekto, refuzo!
Atëherë ne jemi në një situatë që na vjen tani edhe ambasadori i ri i Amerikës, i cili ka thënë se do të luftojë korrupsionin dhe ne i themi që filloje luftën e korrupsionit duke larguar tecet grabitqare dhe duke vënë para përgjegjësisë autorët e këtij teci që është një shenjë e keqe evidente e një korrupsioni të vazhdueshëm në këtë vend. Dhe këtu kemi të bëjmë me një grup, a është grup apo jo këtë do ta shohë SPAK-u. Dhe janë bashkë me Ergys Verdho që firmosi kontratën, është Erald Elezi që është në një lloj burgu ai tani, i cili firmosi, i mori gjoja në dorëzim në 2024, mbasi mbeten 2 vjet aty në gjirin e Vlorës. Më pas Erald Elezit jeni ju zonja Vjola që po bëheni gati të bëni këtë, firmosjet e këtij spekulimi dhe vjedhje të pastër fare. Dhe ne mendojmë që SPAK-u do të veprojë në këtë drejtim,
Kjo është shumë e qartë, janë mbi 100 milionë euro të marra nga taksapaguesit shqiptarë, por ka dhe një rrezik akoma më të madh që me planet që kanë këto, për të ndërtuar tece të tjera e terminale gazi e kështu me radhë, duke e okupuar atë territor.
