Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur procedurat e aplikimit për kuotat e specializimit të mjekëve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Sipas udhëzimit, datë 4.12.2014 të gjithë kandidatët përfshi edhe ata nga trojet, kanë afat deri në datë 12 dhjetor të bëjnë aplikimin pranë Universitetit të Mjekësisë për 365 kuota që janë miratuar për specializimin afatgjatë në fushën e mjekësisë. Tarifa e regjistrimit është 5 mijë lekë. Sipas udhëzimit të MAS, kandidatët do t’i nënshtrohen fillimit intervistës, e cila fillon më 19 dhjetor dhe më pas testimit të informatizuar, i cili bëhet për herë të parë dhe do të zhvillohet në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimit në datë 22 dhjetor. Ndërsa në rregulloren e specializimeve përcaktohet se kriter për kandidatët është nota mesatare mbi 7 si dhe gjuha e huaj. Për kandidatët që kanë studiuar jashtë, nota mesatare më e vogël se 7 nuk është kriter përjashtues.
Udhëzim&Afatet
Sipas udhëzimit të MAS, të drejtë të aplikojnë në ciklin e tretë të studimeve në fushën e mjekësisë kanë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe që janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të dytë “Master i shkencave”, në një universitet publik apo privat i akredituar në momentin e diplomimit të studentit si dhe kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit në ciklin e dytë të studimeve dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Shqipëri. Për të aplikuar në programet e specializimit në “Kirurgji maksiko faciele” dhe “Pedodonti” kandidatët duhet të kenë përfunduar një program studimi të integruar të ciklit të dytë në “Stomatologji”. Për të aplikuar në programin “Shëndet publik”, kandidati duhet të ketë përfunduar studime të integruara të ciklit të dytë “Master i shkencave” në “Shëndet publik”. Për të gjitha programet e tjera kandidatët duhet të kenë përfunduar studimet e ciklit të dytë në “Mjekësi të përgjithshme”. Afati i fundit i aplikimi është data 12 dhjetor. Në këtë udhëzim përcaktohet se Dekanati i Mjekësisë brenda datës 15 dhjetor duhet të shpallë listën e aplikantëve dhe datat për intervistën me gojë. Ndërsa testimi i informatizuar do të përcaktohet në bashkëpunim me AKP, pasi aty do bëhet testimi. Konkurrimi nis më datë 19 dhjetor me intervistën me gojë. Kombinimi i listës së studentëve që do të intervistohen në një datë të caktuar me një nga komisionet e ngritura përcaktohet me short. Testimi i informatizuar zhvillohet në datën 22 dhjetor 2014 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë dhe zhvillohet në AKP, sipas kalendarit të përcaktuar nga dekanati. Sipas udhëzimit të MAS, AKP ka për detyrë të dixhitalizojë fondin e pyetjeve për çdo specialitet të miratuar nga Komisioni i vlerësimit. Komisioni i vlerësimit në përfundim të testimit, përgatit listën me rezultatet e kandidatëve në bazë të intervistës, testimit të informatizuar dhe notës mesatare për të tri programet që ata kanë përzgjedhur. Kandidatët kanë dy ditë kohë që të bëjnë përzgjedhjen përfundimtare mes tri programeve që kanë zgjedhur në fillim të aplikimit.
Dokumentet
Kandidati duhet të paraqitet personalisht në Fakultetin e Mjekësisë për të bërë aplikimin dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm: Formular aplikimi, sipas modelit të parashikuar në udhëzim. Kandidati përcakton 3 preferenca në renditje preferenciale zbritës për programin e specializimit afatgjatë që aplikon. Një letër motivimi e aplikantit. Fotokopje e dokumentit të identifikimit, kartë identiteti ose pasaportë. Po ashtu, duhet kopje e diplomës universitare të ciklit të dytë dhe të listës së notave, kopje e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, niveli B2 si dhe fotokopje e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe dëshmisë së regjistrimit në urdhrin profesional. Të gjitha fotokopjet duhet të noterizohen në Shqipëri. Veç tyre, duhet dhe mandatpagesa prej 5 mijë lekësh si dhe dy fotografi.
Rregullorja
Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe Ministria e Shëndetësisë kanë përpiluar një rregullore me 73 nene, ku përcaktohen kriteret si dhe rregullat për specializimin në mjekësi. Konkurrimi në programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë parashikon zhvillimin e tri fazave: intervistë me gojë, testim i informatizuar dhe vlerësimin e notës mesatare të studimeve universitare. Në nenin 29 të rregullores përcaktohet se, konkurruesi që ka publikuar artikull në revistë ndërkombëtare me faktor impakti merr automatikisht 70% të pikëve totale të intervistës. Gjatë intervistës kandidati do të pyetet për aftësinë e gjykimit të kandidatit, motivimin për të vazhduar specializimin për të cilin ka aplikuar, profilin e përgjithshëm psikologjik, gatishmërinë për të punuar në grup, aftësitë dhe nivelin e komunikimit, nivelin e kulturës së përgjithshme, nivelin e shprehjes dhe kulturës mjekësore, aftësinë për të punuar në kushte stresi të zgjatur si dhe aftësinë për të analizuar një material të mirëfilltë shkencor mjekësor. Në nenin 38 të rregullores përcaktohet mënyra e vlerësimit të kandidatëve. Ku maksimumi i pikëve është 1000 pikë, 20% pra 200 pikë kandidatët i marrin nga nota mesatare e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, 70% të pikëve pra 700 pikë vijnë nga testimi i informatizuar me pyetje me alternativa, i cili do të mbajë 100 pyetje dhe 10% pra, 100 pikë janë nga intervista me gojë. Një tjetër pikë interesante e rregullores ishte se gjatë çdo viti specializimi kandidatët i nënshtrohen një testimi, nëse vlerësohen jokalues dy herë, u ndërpriten studimet e specializimeve afatgjatë dhe i jepet një dëshmi për modulet e zhvilluara dhe kreditet përkatëse.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: