TIRANË

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali deklaroi sot se reforma në Drejtësi po jep rezultate konkrete të pastrimit të pallatit të drejtësisë, duke i dhënë meritat për këtë reformë vetëm maxhorancës.

Spiropali e konsideroi të papranueshëm moralin që bëhet nga rruga, sa i përket vendosmërisë së qeverisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, apo pandëshkueshmërinë e politikanëve.

Sipas saj, sistemi i drejtësisë kishte çimentuar aleancën e pandëshkueshmërisë së pallatit të drejtësisë me politikën, por mbi të gjitha kishte rrënuar jetët e shumë njerëzve të thjeshtë.

Ajo tha se me Reformën në Drejtësi, “jo vetëm zhbëhen lidhjet e politikës me drejtësinë apo i jepet fund pandëshkueshmërisë, por hidhen themelet e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe pa ndikime nga krimi dhe korrupsioni”.

“Reforma në Drejtësi në Shqipëri është reforma më radikale dhe progresiste në rajonin e Ballkanit. Më shumë se 45 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra dhe 16 të tjerë kanë ndërprerë procesin e rivlerësimit për shkak të dorëheqjes. Nga 28 ligje të miratuara në kuadër të paketës së Reformës në Drejtësi, opozita që është tani në rrugë votoi vetëm dy ligje. Opozita nuk ka marrë pjesë në votim apo votoi kundër për 24 ligje. Të gjitha ligjet kanë kaluar me vullnetin e mazhorancës”, tha Spiropali.

Duke iu drejtuar deputetëve të rinj të opozitës, ajo theksoi se “debatet, propozimet dhe interpelancat janë më shumë se produkti që ata patën në të gjitha seancat ku morën pjesë”.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: