Në rishikimin më të fundit të saj (28 Janar, 2022), agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, njoftoi sot Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Agjencia vlerëson se rritja reale do të mbetet solide gjatë viteve të ardhshme, mesatarisht 3.5-4.3 përqind, e mbështetur fort nga konsumi i familjeve, investimet në infrastrukturë dhe ringritja në turizëm;

Agjencia pret që Deficiti fiskal do të ulet në periudhën afatmesme, duke sjellë si rezultat rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në Presioni.

Gjithashtu vlerëson se presioni i jashtëm do të jetë i menaxhueshëm duke pasur parasysh se rezervat valutore të vendit mbeten të larta dhe borxhi i jashtëm rritet vetëm në mënyrë të moderuar, duke mbështetur edhe stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë viteve të ardhshme.

Vlerësimi i agjencisë mbështetet nga perspektiva rritjes ekonomike të Shqipërisë, regjimi relativisht fleksibël i kursit të këmbimit dhe rezervat e forta valutore.

Megjithëse konsolidimi fiskal ka të ngjarë të ngadalësohet, ne besojmë se deficiti i qeverisë do të ngushtohet në vitet e ardhshme.

Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe pret që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5-9.0 përqind në terma realë.

Ndërkohë, duke pasur parasysh normën e ulët të kursimeve në ekonomi, agjencia beson se reformat e duhura në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e flukseve hyrëse të investimeve të huaja do të jenë kritike që Shqipëria të mbajë një ritëm më të lartë të konvergjencës së të ardhurave me homologët e rajonit dhe me eurozonën.

Agjencia konstaton se, krahas përpjekjeve për të forcuar balancën fiskale, autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik.

Ibrahimaj: Lajm i mirë vlerësimi “B+” nga S&P për Shqipërinë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cilësoi sot në një reagim si lajm të mirë konfirmimin e vlerësimit në “B+” dhe perspektivën “e qëndrueshme” për Shqipërinë.

“Lajm i mirë. Agjencia prestigjioze S&P konfirmon vlerësim në “B+” dhe perspektivën “e qëndrueshme” për Shqipërinë”, u shpreh Ibrahimaj.

“Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe parashikon që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5%-9% në terma realë”, u shpreh Ibrahimaj.

“Edhe në periudhë afatmesme rritja reale do të mbetet e qëndrueshme në 3.5%-4.3%, e mbështetur fort nga konsumi familjar, investimet në infrastrukturë dhe gjallërimi i turizmit”, theksoi Ibrahimaj.

“Agjencia parashikon gjithashtu se deficiti fiskal do të vijë në ulje në afatmesëm, duke sjellë rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në”, nënvizoi Ibrahimaj./ata

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: