TIRANË

“Eja në Teatër”! Kjo është ftesa për publikun dhe qytetarët dhe në këto ditë të nxehta vere.

Të shtunën starton në Amfiteatrin e Liqenit Artificial shfaqja “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, e cila sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, regjisores Driada Dervishi dhe aktores Anila Bisha, që ndanë përshtypje e detaje në News24, premton të sjellë freski për publikun në këto ditë të nxehta vere.

Çuli tha se është në shfaqje moderne, për të cilën është punuar shumë.
“Kënaqësi për gjithë komunitetin artistike që startojmë sezonin. Startojmë me këtë vepër të Orwell që Driada i ka dhënë dhe një pamje muzikore. Është një shfaqje moderne.

Është një simbolikë edhe nga Orwell vetë. Kafshët janë për të dhënë mesazhi ne individit përballë pushtetit. E përafron njeriun me instinktin kafshëror. Është një simbolikë e fortë, alegori e simbolikë e fortë”, tha Çuli.

Për aktoren Anila Bisha ka qenë një shfaqje shumë e lodhshme për anën fizike. “Kemi punuar shumë pak në proces tavoline. Nuk e pranonte ndenjjen për një kohë të gjatë. Ia ka vlerë, është një vepër e mrekullueshme. Jam e bindur se do mirëpritet nga publiku. Vepra është shumë e njohur. Është vënë në një formë të veçantë. Do jetë një darkë e këndshme për publikun që të vijë në këto ditë të nxehta pranë pyllit”, tha ajo.

Teksa regjisori Çuli tha se provat kanë pasur dhe kënaqësi. “Ky malli për teatrin sikur na bashkoi me njeri-tjetrin. Kemi punuar fort”, u shpreh ai.

Regjisorja e shfaqjes Driada Dervishi nëpërmjet lidhjes ‘skype’ ndau mbresa të tjera dhe detaje nga shfaqja.

“Shpresoj të jetë një nga shfaqjet më të veçanta. Kam punuar me një staf shumë të mirë. Koha ka qenë e shkurtër, por ka qenë një punë e paramenduar për të sjellë diçka ndryshe. Vjen dhe si një mundësi dhe përgjegjësi që Teatri Kombëtar të kthehet në një vepër të këtyre përmasave. Është i vetmi stacion ku mund ta vija një vepër të tillë. Është shumë e vështirë që një regjisor të marrë vërejtje apo sugjerime nga një regjisor tjetër.
Një zë si i Bojken Lakos, një farë mënyre kolona zanore e brezit. Bojkeni ka bërë një kurim shumë të bukur të kolonës zanore të shfaqjes. Unë doja të ndalesha tek Mia, mamaja e Bojkenit që ka bërë trajnimin e aktorëve, sepse në këtë shfaqje të gjithë këndojnë”, tha ajo.

Dervishi tregoi më tej se gjejmë shumë pika takimi me rrjedhën 50-vjeçare të historisë në Shqipëri dhe se së pari është përpjekur që vepra të flasë shqip.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb