Ka startuar në Berat Viti i ri shkollor 2021-2022.Për shkak të situatës pandemike shkollat janë përshtatur me mjetet dhe masat e nevojshme anti-covid. Në çdo klasë është ruajtur distanca mes bankave dhe janë vendosur dezinfektantë, ndërkohë që nxënësit janë futur në shkollë me maska.Edhe pse u fol për respektim të rregullave e masave të vendosura nga Ministria e Arsimit, në oborret e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme ka pasur grumbullime të panevojshme përpara fillimit të mësimit.

Mësohet se për shkak të numrit të lartë të nxënësve në klasa,në disa shkolla do të aplikohet mësimi me turne për të ruajtur distancën. Kjo ndarje në turne nuk është pritur mirë nga nxënësit dhe prindërit pasi disa prej tyre vijnë çdo ditë në Berat nga zonat rurale për të ndjekur gjimnazin.Të gjithë mësuesit që janë paraqitur në shkollë për të dhënë mësim, kanë dorëzuar në drejtori çertifikatën e vaksimit ose test PCR negativë.

Këtë vit në Berat kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 32 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme), ndërkohë që numri total i nxënësve në këto shkolla është 4120 nxënës. Burime nga DAR Berat bëjnë me dije se, janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave anti-covid 465 mësues, 58 mësues kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës dhe 170 mësues janë të pavaksinuar pasi janë në fazën post-covid.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb