*Rriten kompetencat e Kryetarit të PS
* Shtohen kushtet për ata që duan të kandidojnë për Kryetar

TIRANË- Statuti i ri i Partisë Socialiste duket se ka ndryshuar gati me rrënjë ate të vjetrin. Çështja më e debatuar e kohëve të fundit brenda Partisë Socialiste është ajo e mungesës së zgjedhjes së Kryetarit. Por projektstatuti i ri i jep zgjidhje kësaj pike të shumëkritikuar nga deputeti Ben Blushi. Sipas nenit 42 i këtij statuti, me pikën 6 të tij, theksohet se, “kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohen nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të Kongresit në votimin që zhvillohet në kongresin vjetor të partisë”.
Projektstatuti do të miratohet në Asamblenë Kombëtare dhe Kongresin e 19 marsit. Projektstatuti, i cili është produkt i punës së grupit që u ngrit nga Asambleja e korrikut të vitit të shkuar, ka nisur t’u shpërndahet anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për të qenë të përgatitur me atë që do të diskutohet në mbledhjen e së mërkurës.

Sipas këtij përcaktimi, mandati i kryetarit pasi ka fituar zgjedhjet parlamentare dhe ka ardhur në pushtet ose është rikonfirmuar për një mandat tjetër qeverisës rinovohet automatikisht. Zgjedhje për kryetar zhvillohen vetëm kur ka një kërkesë nga 10 përqind e delegatëve të kongresit. Kujtojmë se këta të fundit u zgjodhën javët e fundit përmes parimit një anëtar­një votë nga anëtarësia.
Por kriteret janë shtrënguar edhe për kandidatët e rinj. Në pikën dy të nenit 42 kërkohet që kandidati për kryetar të PS­së duhet të marrë firmat e 10 përqind të delegatëve të kongresit ose 5% të anëtarësisë.

“Kandidatët për kryetar të partisë duhet të kenë të paktën një mandat si anëtar të Asamblesë Kombëtare ose të jenë mbi pesë vjet anëtar të partisë. Prezantimi i kandidaturës së kryetarit të partisë duhet të ketë mbështetjen e 10% të delegatëve të kongresit ose 5% të anëtarësisë së partisë. Asnjë prej tyre nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 20% të delegatëve”, thuhet në nenin 42 të projektstatutit.
Mandej bie në sy se projekti i ri për statutin ka rritur kompetencat e kryetarit të PS­së, kompetenca që i ka pasur më parë Kryesia e partisë. Kështu sipas statutit të ri, kryetari i PS propozon nga radhët e anëtarëve të Kryesisë kandidatët për kryetar të Grupit Parlamentar socialist, për kryetar e nënkryetar të Kuvendit, për kryetar të komisioneve, si dhe delegacioneve të përhershme të Kuvendit dhe ia paraqet për votim Grupit Parlamentar socialist; Drejton procesin për hartimin, miratimin dhe paraqitjen e listave të kandidatëve të partisë në zgjedhjet legjislative e vendore konform rregullores së miratuar nga Asambleja Kombëtare në zbatim të parashikimeve të statutit”, thuhet në draftin e ri.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: