NGA ORNELA MANJANI*
TIRANË- Qeveria shqiptare duhet të paguajë bren da tre muajve, deri në 17 qershor, 10.7 milionë euro për kompensimin e gjashtë dosjeve pronarësh që kanë fituar të drejtën e kompensimit nga Gjykata e Strasburgut. Vendimi është marrë dje nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që dënoi shtetin shqiptar me një shumë prej 10 mln e 700 mijë euro.

Vendimi është në favor të dosjes “Rista kundër Shqipërisë”, ku përfshihen shtatë çështje, gjashtë prej të cilave janë gjetur brenda afateve me konform ligjeve dhe konventave që zbatohen nga Strasburgu për rastet mbi të drejtën e pronës.

ANKIMIMI
Gjashtë dosjet me 57 përfitues, pronarë e trashëgimtarë të tyre, janë depozituar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për mosekzekutimin e vendimeve për kompensim të pronës, të cilat janë dhënë në favor të tyre në periudha të ndryshme nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Sipas vendimit, ku përfshihen 7 çështje, Gjykata Europiane ka vendosur që qeveria shqiptare të paguajë në favor të pronarëve një shpërblim, që kap shumën prej 10 milionë e 700 mijë euro. Ky shpërblim duhet të ekzekutohet nga qeveria shqiptare brenda një periudhe tremujore dhe me kalimin e këtij afati, për vonesën e ekzekutimit paguhen penalitete.

VENDIMI
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut mban datën 17 mars. “Duke iu referuar konstatimeve të mëparshme për paditë në lidhje me çështjen e pronave, kundër Shqipërisë, për të cilat qeveria shqiptare nuk ka dhënë argumente për zgjidhjen, gjykata konstaton se autoritetet vendëse kanë dështuar për një kohë të gjatë për të zbatuar vendimet e brendshme përfundimtare, sidomos për kompensimin, duke shkelur në këtë mënyrë të drejtat e ankuesve, bazuar në nenin 6 pika i dhe në bazë të nenit 1 të protokollit nr. 1 të konventës”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, gjykata i shpall aplikimet për shkelje të nenit 6(1) dhe nenit 13 të Konventës dhe nenin 1 të protokollit nr.1, lidhur me zbatimin e vendimit të formës së prerë të gjykatave kombëtare, si edhe për kohëzgjatjen e procedurave, të pranueshme dhe pjesën tjetër të aplikimit të papranueshme.

“Gjithashtu, ajo shprehet se ka pasur një shkelje të nenit 6(1) dhe nenit 13 të KEDNJ dhe të nenit 1 të protokollit nr.1. Për më tepër, gjykata shton se nuk është e nevojshme që të shqyrtohet kërkesa për tejzgjatje të procesit në kuadrin e nenit 6(1).

Veçanërisht GJEDNJ vendos se shteti në shkelje duhet të sigurohet që ka një zbatim të vendimeve të formës së prerë të gjykatave kombëtare, se shteti duhet t’u paguajë aplikantëve përkatës shumën e vendosur nga gjykata brenda 3 muajve, si edhe çdo taksë tjetër që lidhet me konvertimin e shumës në monedhën vendëse, gjithashtu vendos një interes të ulët sipas Bankës Qendrore Europiane, nëse shpërblimi i vendosur nga gjykata nuk jepet brenda 3 muajve”, thuhet në vendimin e Strasburgut. (Vendimin me emrat e pronarëve e gjeni në numrin e sotëm të GSH)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: