Voltiza Duro

Jo pak herë, studentët e universiteteve shtetërore kanë protestuar mbi tarifat e papërballueshme të vitit akademik, por ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për lehtësimin e xhepave të të rinjve. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, studentja e UT-së, Klaudina Kuçi tregon se nëse nuk paguajnë në kohë tarifat e kripura, përjashtohen automatikisht nga provimi. Më tej ajo shton se kosto e librave ndonjëherë kalon edhe vetë tarifën e një viti shkollor, madje thekson se ka dhe raste të tilla ku shitja e librit bëhet dhe brenda auditorëve, e profesori mban një listë dhe shënon studentët që blejnë librin dhe u bën presion pjesës tjetër. Një tjetër problematikë e ngritur nga studentja është edhe literatura plot me gabime drejtshkrimore, pa shtëpi botuese dhe ISBN-në përkatëse si dhe pagesat për listat e notave, auditorët pa karrige, e tualetet e mjerueshme që nuk justifikojnë aspak pagesën që bëjnë studentët për 1 vit akademik. Sipas një përllogaritjeje, kosto vjetore e një studenti shkon deri në 3-4 milionë lekë të vjetra, që nuk mund të përballohet nga pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare.

Si paraqiten tarifat e detyrueshme që duhet të paguajnë studentët për një vit akademik në nivelin bachelor dhe master?
Në nivelin bachelor tarifat variojnë nga 25.000 lekë deri në 40.000 lekë të reja. Ndërsa në nivelin Master 80.000 lekë të reja për profesionalin dhe 180.000 lekë të reja për masterin shkencor 2 vite. Një student që këtë tarifë nuk e paguan brenda afatit të përcaktuar, ai automatikisht penalizohet duke mos u futur në provim. Që të përfitosh nga ulja ose mospagesa e saj, duhet të jesh ose me aftësi të kufizuara (dhe kjo e vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë), ose të jesh i/e verbër/ tetraplegjik/ paraplegjik, njërin nga prindërit ta kesh patur të përndjekur politik, ose të kesh statusin e jetimit etj. Dokumentacioni që duhet të sjellësh për të qenë përfitues është i pafundëm (Vërtetim konfirmimi nga ministria përkatëse; vërtetim studenti; fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë familjare, vërtetimi origjinal nga njësia e vetëqeverisjes vendore për masën e pagesës së paaftësisë që merr studenti; etj) Afati është shumë i shkurtër ndaj dhe studenti e ka të vështirë të sigurojë gjithë këtë dokumentacion, në një kohë kaq të kufizuar.

Si rezultojnë këto tarifa krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë?
Me një nivel ekonomie të ulët, ku rroga mesatare nuk i kalon 250 mijë lekë të vjetra në muaj, sigurisht që këto tarifa janë shumë të larta. Tarifat janë absurde, pavarësisht standardeve e kualitetit të fakultetit ku bëjmë pjesë. Në vende të tilla si Greqia, Franca, Sllovenia, Finlanda etj., përveçse gjejmë universitete me tarifë 0, ato ndjekin dhe politika të posaçme për t’u lehtësuar jetesën studentëve.

Sa të përballueshme janë për xhepat e studentëve shqiptarë tarifat e universitetit?
Të qenit student është kosto më vete, nëse vendos të vazhdosh studimet e larta, duhet të bësh disa llogari më vete si: nëse do kesh mundësi të përballosh tarifën ulëritëse, nëse do mundesh të paguash qiranë, të ushqehesh, të vishesh etj. Një student në Shqipëri nuk mund ta gëzojë plotësisht statusin e studentit. Ai si fillim ka statusin e të punësuarit, ku gjysmën e ditës i duhet të shërbejë për llogari të dikujt tjetër, e gjysmën tjetër i duhet të frekuentojë leksionet e seminaret. Praktikisht atij nuk i ngelet as kohë të lexojë, studiojë e as të punojë për ndonjë detyrë a projekt që mund t’i jepet.

Po çmimet e librave si paraqiten? A ka pasur raste kur pedagogët kanë detyruar studentët të blejnë tekste, autorë të të cilëve janë vetë pedagogët?
Përveç tarifës së universitetit, studentit i duhet të mendojë dhe koston e librave. Kosto, e cila ndonjëherë kalon dhe vetë tarifën e një viti shkollor. Çmimet e librave sigurisht janë të kripura, po sikur të mos mjaftonte kjo, ne na duhet të shfletojmë literaturë me gabime drejtshkrimore, pa shtëpi botuese dhe ISBN-në përkatëse. Ka dhe raste të tilla ku shitja e librit bëhet dhe brenda auditorëve, ku profesori përkatës mban një listë dhe shënon studentët që blejnë librin, dhe u bën thirrje njëkohësisht studentëve të tjerë që ende nuk e kanë blerë ta bëjnë sa më shpejt në mënyrë që të mos penalizohen duke mos u futur në provim. Për studentët që nuk i kanë mundësitë financiare për të blerë libra me çmime kaq të larta, duhet të sigurohet një numër kopjesh i mjaftueshëm në bibliotekën përkatëse të fakultetit, ku të kenë mundësi të lexojnë e studiojnë.

Sa shkon kosto totale për një student gjatë një viti, duke përfshirë edhe kostot e studimit dhe të jetesës?
Një studenti i duhet të paguajë tarifën 400 mijë lekë të vjetra, i duhet të paguajë abonenë e autobusit 16 mijë lekë të vjetra në muaj (sepse aboneja e studentit qëndron në raportin 2000 abone për 20.000 studentë dhe vlen vetëm për qytetin studenti), i duhet të harxhojë për libra vetëm në një vit akademik mesatarisht 250 mijë lekë të vjetra, i duhet të ushqehet, të veshmbathet, të paguajë qira, ujë, drita etj. Kostoja vjetore arrin diku te 3- 4 milionë lekë të vjetra. Në kushtet ku jemi dhe familjet nga ku vijmë, këto kosto janë të ekzagjeruara dhe të papërballueshme.

Kushtet në universitete a i justifikojnë ndopak tarifat që paguajnë studentët?
Aspak! Ne vazhdojmë që të paguajmë për listë notash, auditoret i kemi pa karrige, një pjesë e mirë shkruajnë akoma në dërrasë të zezë me shkumës, tualetet janë në gjendje të mjerueshme po ashtu, nuk kemi asnjë mundësi të aksesojmë fotokopjen e fakultetit pasi nuk është në shërbim të studentëve dhe bibliotekat nuk kanë literaturat e nevojshme që i korrespondojnë viteve tona të studimeve. Atëherë, ku shkojnë lekët tona?

A do të vazhdoni të kërkoni ulje tarifash dhe cilat do të jenë aksionet e radhës?
Qëllimi ynë kryesor është që të arrijmë të kemi arsim publik falas për të gjithë, ku studenti nuk duhet të peshohet nga xhepi, por nga merita e aftësia që ka. Ne duam një universitet dinjitoz e me studentë seriozë, ku pas viteve të shkollimit të mund të punësohen në profesion. Një student duhet të jetë vetëm student, as kamerier dhe as të çirret në call-centre për të fituar lekët e shkollimit, ndërkohë që duhet të jetë mbi libra duke studiuar. Me lëvizjen “Për Universitetin” do të vazhdojmë veprimtarinë tonë, me ndërgjegjësim, tryeza diskutuese së bashku me trupën akademike, dhe protesta derisa të shohim që do të ketë vërtet ndryshim. Lufta për arsim është e gjatë dhe ne do të jemi të organizuar. Përpjeka vazhdon!

(Gsh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb