Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar Shqiptar (FEMSH) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar garantimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike. Në një deklaratë, FEMSH thekson se kjo e drejtë është thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit dhe për sigurimin e barazisë mes qytetarëve.

Sipas forumit, përdorimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një çështje formale, por një element kyç për akses të barabartë në arsim, drejtësi dhe shërbime publike për faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

FEMSH nënvizon se “çdo kufizim apo moszbatim i kësaj të drejte cenon standardet demokratike dhe ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve”.

Deklarata e plotë

“Mbi garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut”

Tiranë, me 10 Prill 2026

Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar Shqiptar (FEMSH), si një platformë që promovon zhvillimin ekonomik, kohezionin shoqëror dhe forcimin e institucioneve në hapësirën mbarëshqiptare, vlerëson se stabiliteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm ndërtohen mbi funksionimin e drejtë dhe të barabartë të institucioneve publike.

Në këtë kuadër, FEMSH ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut, si dhe shqetësimet e ngritura në raport me aksesin e barabartë në arsim, drejtësi dhe shërbime publike për shqiptarët. FEMSH thekson se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe buron drejtpërdrejt nga rendi kushtetues i shtetit dhe përbën një element themelor të parimeve të barazisë, mosdiskriminimit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Çdo kufizim apo moszbatim i kësaj të drejte cënon standardet e një shoqërie demokratike dhe ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe në stabilitetin institucional. Përdorimi efektiv i gjuhës shqipe në administratë, arsim dhe drejtësi nuk është një çështje formale, por një kusht thelbësor për ofrimin e shërbimeve cilësore, përfshirjen e barabartë dhe funksionimin normal të shtetit.

FEMSH vlerëson se:

• zbatimi i plotë dhe konsekuent i kuadrit ligjor është parakusht për funksionimin e institucioneve.

• standardet evropiane kërkojnë jo vetëm njohje formale të të drejtave, por zbatim real të tyre.

• dialogu institucional dhe profesional është rruga më efektive për adresimin e çështjeve me ndjeshmëri shoqërore.

FEMSH thekson se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe institucional kërkon jo vetëm kuadër ligjor, por mbi të gjitha zbatim real dhe standarde të barabarta për të gjithë.

Garantimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut përfaqëson një element thelbësor të këtij standardi, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit, të kohezionit shoqëror dhe të funksionimit të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt së ardhmes.

FEMSH mbetet i përkushtuar të mbështesë këtë vizion në mënyrë të qëndrueshme dhe institucionale në gjithë hapësirën mbarëshqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb