Studentja e Drejtësisë Dorisa Keçani iu ka bërë thirrje të rinjve të bashkohen kundër qeverisë. Nga podiumi i protestës, studentja tha se të rinjtë janë më të shpërfillurit në këta 10 vjet.

Ajo theksoi se të rinjtë nuk janë dembelet që rrinë kafeneve, por në ato kafe përpiqen ta mbysin dhimbjen dhe dëshpërimin që iu krijon çdo ditë një qeveri dhe shtet i paaftë, i papërgjegjshëm dhe i korruptuar.

Sipas saj, një e ardhme më e mirë për të rinjtë e Shqipërisë, fillon duke larguar qeverinë e Edi Ramës.

MESAZHI I PLOTË
Të dashur shqiptarë,
Të dashur demokratë,
Të dashur të rinj dhe të reja,
Unë jam Dorisa Kecani , 21 vjeçe, studente në Fakultetin e Drejtësisë.
Kam ardhur sot në protestë për vetë dhe bashkëmoshatarët e mi. E di që në këtë podium u ngjitën dhe do të ngjiten përfaqësues të shtresave të ndryshme, për hallet dhe shqetësimet e tyre, por nëse ka pasur një kategori ndër më të diskriminuarar dhe të shpërfillurat në këto 10 vite kanë qenë të rinjtë.
Nga t’ia filloj problemeve tona?
Janë kaq të shumta sa edhe sikur të flisja për orë të tera, nuk do të arrija t’i shpjegoja të gjitha. Të flas për arsimin, ku nxënësit dhe studentët vazhdojnë te vuajnë nga niveli i ulët i mësimdhënies, nga punësimet politike me militantë të paaftë, që s’kanë çfarë të transmetojnë tjetër përveç servilosjes ndaj shefave, nga mungesa e fondeve për shkollat dhe universitetet, nga kurrikulat e vjetëruara e të dala boje, apo të flas për një sistem arsimor që nuk gjen asnjë pikëtakimi me tregun e punës.

Përmenda tregun e punës e këtu dua të ndalem pak. Papunësia tek të rinjtë vazhdon të jetë në nivelet më të larta, për shkak se në vend të shkollimit, aftësive dhe meritokracisë, vlerësohet miku, ryshfeti, nepotizmi a korrupsioni. Punësimet në administratë publike janë shembulli më i mirë për ta ilustruar këtë situatë.
Niveli i lartë i korrupsionit dhe paligjshmërisë vret çdo sipërmarrje apo iniciativë rinore. E patë se si ministrja e sipërmarrjes Edona Bilali, që e mban veten për të re, i kishte shpërndarë fondet për sipërmarrjet rinore për miqtë e të njohurit e qeveritarëve.

Të rinjtë e Shqipërisë nuk i përfaqëson ministrja e memeve humoristike, Bora Muzhaqi. Të rinjtë e Shqipërisë janë të talentuar, energjikë, kreativë, të përkushtuar, e duan vendin e tyre dhe punën. Por, shteti i tyre ua ka mbyllur dyert, ua ka shuar mundësitë dhe ata nuk shohin dritë në fund të tunelit.

E në këtë situatë kaq të pashpresë, të rinjtë kanë vendosur të largohen. Ata shohin se si prindërit e tyre me një mijë e një sakrifica nuk ia dolën dot, e nuk kanë besim se edhe ata mund t’ia dalin. I keni parë pamjet tronditëse të të rinjve që duke rrezikuar jetën, ngjiten gomoneve drejt Anglisë. I keni parë qindra mijëra të rinj të tjerë të cilët janë azileve nëpër Evropë apo Amerikë. Ja pra kaq e rëndë, e kaq e pashpresë është situata.

Prandaj, unë jam këtu të protestoj për vete dhe në emër të tyre. Jam këtu për revoltën time dhe të tyre. Jam këtu për të thëne se të rinjtë nuk janë dembelet që rrinë kafeneve, por në ato kafe përpiqen ta mbysin dhimbjen dhe dëshpërimin që iu krijon çdo ditë një qeveri dhe shtet i paaftë, i papërgjegjshëm dhe i korruptuar. Jam këtu për të thënë që të rinjtë janë e ardhmja nuk duhet të jetë thjesht slogani që politikanet valëvisin tribunave në çdo fushatë, por një filozofi e mirëfilltë qeverisje.

Por ne jemi këtu sot jo vetëm për hallet e ditës dhe bukën e gojës. Unë jam këtu, dhe po kështu edhe ju, për pluralizmin, për zgjedhjet e lira, për demokracinë. Opozita nuk mund të jetë peng i pushtetit, sepse demokracia kështu është vetëm fasadë, ku nuk ka rëndësi vota por numërimi, nuk ka vlerë bindja, por ajo që vendosin për ty lart në dhomat e pushtetit.

Jam këtu e bindur se një e ardhme më e mirë për të rinjtë e Shqipërisë, fillon duke larguar qeverinë e Edi Ramës. Kryeministrit ia përsërisim: FAKTET DOLËN, DORËHEQJA ËSHTË DETYRIM!
T’i dalim Zot Shqipërisë, sepse ajo është një dhe e panegociueshme.
Zoti i bekoftë te rinjtë shqiptarë dhe Shqipërinë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb