Delina Murati, studente e Universitetit “Luarasi” në programin e përbashkët me London School of Economics (LSE), e ftuar në studion e News24, ka treguar impaktin që programi i përbashkët i Luarasit me LSE ka në formimin e brezit të ri të profesionistëve në Shqipëri.
Murati e vlerësoi programin si një ndër më elitaret në nivel global, duke vënë theksin te niveli i lartë i vështirësisë dhe përditësimi me teknologjitë më të fundit.
“Ky është një nga programet më bashkëkohore në botë në fushën e administrimit të biznesit dhe financës që kemi si degë. Programi ynë është shumë intensiv nga pikëpamja e matematikës, inteligjenca artificiale, machine learning. Nuk është një program aplikativ, bazohet te kërkimi shkencor. Kemi një organizim dhe sinkronizim të plotë me palën britanike,” u shpreh ajo.
Më tej, studentja tregoi se ky projekt ishte një synim i kahershëm i saj që në bankat e shkollës së mesme, duke ditur përpjekjet e universitetit për ta sjellë këtë mundësi në Shqipëri
“E dija që do vinte një sistem i tillë nga Luarasi dhe kishte kohë që negociohej për një sistem të tillë. Kur isha maturante e hodha si degë dhe pashë që LSE nuk është vetëm emri i madh në Londër, por ka të gjitha aspektet e tjera dhe ti del në punë dhe jetë një njeri krejt tjetër,” tha Murati.
Në mbyllje të fjalës së saj, Delina Murati vlerësoi mbështetjen e pakursyer akademike dhe dha një mesazh të fortë për të gjithë maturantët që kërkojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme. “Kemi pasur ndihmë nga të gjithë pedagogët dhe stafi edhe nga LSE në lidhje me kurrikulën. Nëse doni të investoni në të ardhmen tuaj dhe të ndryshoni në qasjen e të menduarit dhe jo vetëm të keni një punë të shpejtë, por të zhvilloni dijen tuaj, LSE është zgjidhja e duhur,” përfundoi studentja.
