Me dy medalje, ar dhe argjend, Shqipëria dhuroi një paraqitje fantastike në Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit që u zhvillua në Kosovë nga data 5-7 qershor. 10 shtete të Ballkanit morën pjesë në këtë aktivitet që është një nga ngjarjet më të rëndësishme të çiklizmit në rajon. Shqipëria u përfaqësua me dinjitet në kategoritë Elite, U19 dhe U17.
Ekipi kuqezi dhuroi spektakël në garën më të rëndësishme, atë Elitë, ku falë një strategjie të shkëlqyer ekipore, Valentino Kamberaj u shpall kampion ballkanik, duke fituar medalje të artë dhe duke bërë që flamuri kuqezi të ngjitej në podium. Një kontribut të veçantë në fitoren e titullit ballkanik dhanë sportistët Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Leo Piku, Olsian Veliaj dhe Alesio Kola, të cilët me sakrificën ekipore mbështetën strategjinë e skuadrës drejt medaljes së artë. Medalje të argjend siguroi edhe Leonardo Musta në kategorinë U-19(Junior), duke mbyllur në vendin e dytë pas një gare shumë të fortë.
Federata Shqiptare e Çiklizmit përgëzon të gjithë sportistët, trajnerët dhe stafin përfaqësues për rezultatet e arritura dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën përfaqësuan Shqipërinë.
