Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës parashikon mbrojtjen e grave në Turqi nga dhuna. Konservatorët pohojnë se familja tradicionale është në rrezik.

Në Turqi nuk është e rrallë dhuna në familje. Gjatë vitit 2019 janë kryer vrasje të tmerrshme si ajo e 20-vjeçares Ceren Özdemir. Portali “Ne do ta ndalojnë vrasjen e grave” njofton se gjatë vitit të kaluar janë vrarë 474 gra, që është niveli më i lartë në Turqi gjatë një viti.

Përkundër të dhënave shokuese, duket se shoqëria konservatore në Turqi është pak e shqetësuar me dhunën ndaj grave. Kjo po shihet edhe në debatin e tanishëm për të ashtuquajturën Konventa e Stambollit – një dokument të Këshillit të Evropës nga viti 2014 kundër dhunës ndaj grave, në veçanti kundër dhunës në shtëpi dhe për barazinë gjinore. Turqia ishte vendi i parë që e ka nënshkruar këtë dokument dhe e ka futur ate nën mbrojtjen e ligjit për evitimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e familjes.

Konventa dhe përfytyrimet

Forcat konservatore në Turqi e shohin të rrezikuar traditën turke. Ato po e kritikojnë konventën dhe janë të mbështetura edhe nga e ngarkuara e qeverisë turke, Ebru Asiltürk. Në një shkrim për gazetën konsevatore “Milli”, ajo e quan këtë dokument si “Bombë kundër strukturës familjare”. Marrëveshja e “dëmton integritetin financiar dhe moral të familjes”, shkruan ajo. Ky dokument, sipas saj, është në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, i cili merret me “mbrojtjen e bashkësisë familjare”. Asiltürk mendon se zgjidhja e vetme e mirë do të ishte anulimi i këtij dokumenti.

Në Turqi po debatohet prej ditësh për tërheqjen e mundshme nga Konventa e Stambollit. Në rrjetet sociale po zhvillohet një debat i gjallë për këtë çështje. Në disa rrjete barazohet madje kjo marrëveshje me pushtimin e Konstantinopolit në vitin 1453, ndërsa pushtuesi paraqitet si amerikani Uncle Sam. Mesazhi është: përpjekja e Përëndimit për të pushtuar Turqinë.

Rrezikimi i familjes?

Canan Arin, themeluese e Shoqatës për mbrojtjen e grave nuk e kupton fare pse kjo Konventë do të rrezikonte familjen. “Po çfarë do të thotë pohimi, familja është e shenjtë. A është familja një konstrukt i pandryshueshëm, ku gruaja gjithmonë duhet të përulet dhe shkelet me këmbë, të përdoret si makinë vetëm për lindje (…) si një objekt për kënaqësi seksuale?” Arin pohon se Konventa ka si qëllim mbrojtjen e gruas nga dhuna.

Canan Kalsin, kryetare e Komisionit parlamentar për barazi gjinore pohon se disa kritikë të Konventës janë duke u mbështetur tek një kontekst i gabuar. “Ajo duhet të mbrojë viktimat nga dhuna. Për fat të keq, ka të tillë që nuk duan ta shohin këtë”. Shoqëria duhet të sensibilizohet më shumë për këtë temë. “Ne jemi përpjekur ta shpjegojmë gjithmonë sa më mirë që është e mundur rëndësinë e Konventës së Stambollit”, thotë politikanja e AKP.

Problemet me zbatimin

Aktivistet për mbrojtjen e grave thonë se zbatimi i Konventës nuk ka qenë i duhur, sepse ajo nuk është zbatuar kurrë si duhet. Nuk janë realizuar as masat për mbojtjen e grave të prekura nga dhuna. Dhuna dhe diskriminimi i grave mund të evitohen vetëm nëse Konventa zbatohet në tërësi, pohon Canan Güllü, kryetare e Shoqatës Kadin Dernekleri Federasyonu. Ajo beson se fajin për mos zbatimin e Konventës e mbanë edhe partia AKP. Në AKP ka një lloj mbështetje të Konventës. Por ajo mendon se nuk ka vullnet për luftimin konsekuent të dhunës ndaj grave./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb