TIRANE – Qeveria shqiptare e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie kombëtare, në respekt e nderim të viktimave të sulmeve terroriste, të ndodhura mbrëmjen e së premtes në Paris.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike kanë ulur flamurin në gjysmështizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.

Duke i dënuar me forcë aktet terroriste, qeveria shqiptare thekson se mbetet thellësisht e angazhuar në luftën kundër terrorizmit.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, në një letër ngushëllimi drejtuar homologut të Francës, Manuel Valls i shprehu atij ngushëllimet dhe solidaritetin e popullit shqiptar ndaj popullit francez.

Edhe Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, shpalli dje dite zie në Kosovë, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris dhe në solidarizim me popullin e Francës. Autoritetet e Republikës së Kosovës dënojnë fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: