Komisioneri Federal për Viktimat në Gjermani, Roland Weber, ka shprehur mbështetjen e tij për personat e prekur nga sulmi ndaj paradës së Krenarisë (Christopher Street Day – CSD) në Berlin, të shtunën në mbrëmje.
Në një deklaratë, Weber e cilësoi veçanërisht tronditëse faktin që një aktivitet si CSD-ja, i cili simbolizon të drejtat e barabarta dhe mbi të gjitha dashurinë, u bë objekt i një sulmi të mbushur me urrejtje dhe shpërfillje të plotë ndaj jetës njerëzore.
“Ekipi im dhe unë, së bashku me qendrën qendrore të kontaktit për viktimat e sulmeve terroriste dhe incidenteve të mëdha në landin e Berlinit, jemi këtu për të mbështetur viktimat dhe familjet e tyre”, deklaroi Weber.
Ndërkohë, ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ndihmësit dhe ekipet e emergjencës që reaguan shpejt dhe me përkushtim për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur.
“Ky akt do të hetohet dhe do të ndiqet penalisht me gjithë forcën e ligjit”, tha Hubig.
Ndërsa kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, falënderoi Ministrin e Brendshëm Alexander Dobrindt dhe autoritetet federale për bashkëpunimin e ngushtë me kryeqytetin gjerman në hetimin e sulmit me makinë të së shtunës.
“Dje Berlini kishte festuar një ditë të madhe. Berlini ishte plot ngjyra, Berlini tregoi se sa i larmishëm dhe i hapur është ky qytet”, tha Wegner.
Kryebashkiaku tha se bashkia do të ulte flamujt në gjysmështizë në shenjë zie.
“Ishte një sulm ndaj të gjithëve ne,” tha Wegner.
Kryebashkiaku i kryeqytetit tha se goditja me armë ishte një sulm ndaj “mënyrës sonë të bashkëjetesës” dhe ndaj “demokracisë sonë liberale, hapjes dhe lirisë”.
