Artan Hoxha, ekspert i çështjeve ekonomike, denoncon qeverinë se po tenton të blejë votat e shqiptarëve përmes premtimit të rritjes së pagave për administratën dhe shpërblimet për pensionistët.

Z.Hoxha thotë për gazetën “Panorama” se Kryeministri Edi Rama po synon t’i ekstrafitojë zgjedhjet me çdo mjet e më çdo mënyrë deri në shkelje të Kodin Elektoral. Artan Hoxha flet për nismat e qeverisë të materializuara përmes ligjeve në Kuvend që favorizojnë aferat korruptive, duke u ndalur te abuzimet me “rrugët e florinjta”. Sipas tij, prokurimet zhvillohen pa garë a koncesionim, ndërkohë që shqiptarëve u kushtojnë miliarda euro.

Z.Hoxha denoncon sulmin ndaj “Hyenbelliu Group”, dhunën fizike mbi pasurinë e biznesmenit si tregues i qartë i arrogancës së dhunshme të qeverisë prej mbipushtetit. Analisti e sheh situatën brenda opozitës si të vështirë për shkak të copëzimit të saj. Artan Hoxha përmend se në këto rrethana, e goditur nga çdo anë, kur i kanë lidhur nga një gjyle te këmbët, PD-së nuk mund t’i kërkosh që të bëjë gol, as të presësh se sa gola do të hajë me 14 maj… Ndaj, z. Hoxha apelon për ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe se vota masive kundër qeverisë është kusht i mjaftueshëm për ta larguar qeverinë socialiste.

Z. Hoxha, shqiptarët do të votojnë me 14 maj për drejtuesit e rinj në qeverisjen vendore. A po i josh ata qeveria në prag të zgjedhjeve me premtime si rritja e pagave apo shpërblimi për pensionistët me qëllim që të fitojë zgjedhjet?

Qeveria po e bën në masë të madhe, më shumë mënyra, hapur, pa turp a ndrojtje. Kryeministri arriti deri aty sa ndalimet dhe kufizimet e Kodit Zgjedhor për përdorimin e fondeve, mjeteve, nëpunësve, kompetencave, lejeve, inspektimeve etj., ndërsa ka filluar periudha zgjedhore i quajti “kinezërira”. Ndaj, afërmendsh që qeveria do vijojë t’i (keq)përdorë të gjitha këto edhe në javët e ardhshme të periudhës zgjedhore. As që ia ndjen për opozitën, as që shqetësohet nga monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve. Synon t’i ekstrafitojë ato me çdo mjet a mënyrë, pa u vetëpërmbajtur në kufijtë e ligjit.

Cili është burimi financiar i këtyre vendimeve?
Për rritjen e pagave, qeveria po trysnon sektorin privat, qoftë me rritjen arbitrare të pagës minimale e qoftë përmes presionit tatimor për rritjen e pagave në përgjithësi në sektorin privat, duke imponuar administrativisht paga reference, ndërsa dhe vetë po merr vendime për rritje të pagave te administratës dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Ka gjetur justifikimin që rritja e pagave do të shërbejë për frenimin e emigracionit masiv, veçanërisht të të rinjve dhe moshave të mesme, por hallin e vërtetë e ka te zgjedhjet se po ta kishte tek emigracioni i profesionistëve nuk do rriste tatimin për profesionet e lira në 23% siç po bën. Natyrisht që rritja e pagave të administratës dhe shpërblimet për kategori të ndryshme dalin nga buxheti i shtetit që formësohet nga taksat e ne të gjithëve, pra e në llogari të fundit nga xhepat tanë, por që shitet, e së shumti (keq)kuptohet gjerësisht, si dhuratë qeveritare.

Po “rrugët e florinjta” sa do u kushtojnë shqiptarëve?

Nuk kam njohuri të veçanta lidhur me kostot e rrugëve por krahasimet e kostove për kilometër me rrugë të ngjashme e në kushte të ngjashme të ndërtuara më parë apo që janë ndërtuar e ndërtohen në vende të tjera – krahasime këto bërë nga ekspertë të fushës për medie të ndryshme – tregojnë se kosto për njësi është shumë, shumë më e lartë në rastin e projekteve rrugore të kësaj qeverie e po kështu e më se shumti rezulton se nuk ka garë në prokurim a koncesionim, si dhe kur ka garë, ajo përfundon te fondi limit. Blerja shtrenjtë dhe shumë shtrenjtë e shërbimeve që kjo qeveri bën te privati është një tipar i qartë dhe i dallueshëm i kësaj qeverie që në 2013 e në vijim. Fatura integrale, po t’i referohesh raporteve të Kontrollit të Shtetit, kap miliarda euro.

Përse po rihapen pikërisht tani lojërat e fatit? Kush do t’i marrë ato? Sipas jush, cila është skema që do të implementohet?

Ishte gabim, gabim i rëndë që u mbyllën. Ato duheshin disiplinuar përmes monitorimit dhe transparencës financiare, nuk duhet të lejoheshin të ishin të dukshme fizikisht në mjedise publike dhe mund të kalonin fare mirë që në atë kohë “online”. Mbyllja, siç u bë arbitrarisht e me urgjencë, ishte vetëm de jure. Ato de facto vijuan, duke bërë që edhe ajo shkallë e formalizuar e mëparshme e aktivitetit që kontribuonte fiskalisht në buxhetin e shtetit të informalizohej e kriminalizohej dhe kontributet fiskale respektive të shkonin vetëm në xhepa nëpunësish, policësh e ndërmjetësish gjithfarëlloj. Ndërkohë, e pësuan penalisht ca individë, mes organizatorëve të këtyre lojërave, ata pa lidhje e përkrahje a që nuk dinin si e ku ta jepnin “kontributin”. Qeveria e pranoi gabimin. Do t’i rihapë, të paktën baste sportive “online”. Por, dëmi ndodhi ama e për këtë askush nga kjo qeveri nuk mban përgjegjësi.

Aferat korruptive, apo mbulohen për fat të keq edhe me ligje të posaçme që vijnë nga Parlamenti, por që iniciohen qartazi nga qeveria?. Cila është pjesa “kriminale” e tyre, kam parasysh këtu amnistinë fiskale apo legalizimin e kanabisit mjekësor…

Në disa raste, ca shpesh ama, nisma ligjore që i interesojnë qeverisë, për arsye kamuflazhi, iniciohen nga deputetë, një ose disa syresh së bashku. Këto hile nuk i ha kurrkush ndaj s’kuptoj pse vijon qeveria ta përdorë këtë metodë. Lidhur me “amnistinë fiskale” ajo është nismë e vetë qeverisë e paralajmëruar nga Kryeministri që në shkurt 2020. Ai projektligj, qoftë i verës 2020 apo ai i verës 2022 nuk meritojnë emrin “amnisti fiskale”. Kam botuar tri shkrime për këto dy projektligje.

Problemet thelbësore janë dy: së pari, që projekti qeveritar nuk përjashton mundësinë e legalizimit të produkteve/ pasurive që janë krijuar nga një mori krimesh ordinere si vjedhje, mashtrime, falsifikime, kontrabandime etj., siç me të drejtë bën ai projekt për produktet/pasuritë e krijuara nga krimet e tipit mafioz, të organizuar, apo të korrupsionit; së dyti, projekti jep mundësinë e legalizimit të pasurive që janë krijuar qoftë nga aktivitete informale a qoftë nga ato kriminale ordinere edhe në territorin e shteteve të tjera. Problemi i parë e bën projektin qeveritar të dëmshëm, të rrezikshëm e të papranueshëm në Shqipëri. Problemi i dytë e bën projektin qeveritar të dëmshëm, të rrezikshëm e të papranueshëm ndërkombëtarisht.

Nëse eliminohen këto dy defekte, projekti bëhet i pranueshëm të të dy dimensionet. Të shohim nëse presioni ndërkombëtar dhe ai i brendshëm do e detyrojë qeverinë t’i riparojë këto defekte, ndërsa ka deklaruar se do mbajë pezull, për shkak të presionit të BE-së, edhe nismën tjetër – atë të “pashaportave të arta”. Lidhur me “legalizimin e kanabisit kurativ”, bërë sic duhet, nuk do isha aspak kundër ndonëse nuk pres që ne të bëhemi kompetitivë në këtë lloj produkti. Ne ishim e bëhemi kompetitivë, me tolerancën e duhur qeveritare, për “kanabisin e kënaqësisë”, siç ndodhi në vitin 2016, pra nëse bëjmë sikur e ndalojmë ndërsa të tjerët e ndëshkojnë seriozisht.

Çfarë e bën Edi Ramën kaq të pushtetshëm? Çfarë e rrëzon atë nga qeverisja?

Edi Ramën të gjithëpushtetshëm e bën gjithëpushteti që mori. Në mandatin e parë 2013-2017 atij i dha krahë LSI-ja dhe PDIU. Pas “marrjes i vetëm të timonit” me zgjedhjet e vitit 2017, e veçanërisht pas largimit të opozitës nga Kuvendi ai qeverisi me votat e opozitës surrogate duke arritur edhe ndryshime të njëanshme kushtetuese, duke shtrirë ndikimin kontrollues në sistemin e drejtësisë, duke marrë me zgjedhje të njëanshme edhe të gjitha bashkitë, të gjitha këto edhe me bekimin e ndërkombëtarëve që me qëndrimet e tyre shumë të anshme ndëshkonin vetëm e rende aksionet opozitare pa kundërpeshë adekuate mbi ato qeveritare, përkundrazi duke e inkurajuar atë.

Me këtë disekuilibër Edi Rama rifitoi i vetëm edhe zgjedhjet 2021 ndërsa opozita hyri në kalvarin e përçarjes fill pas humbjes dhe deklarimit nga Departamenti i Shtetit të Sali Berishës, kalvar që vijon sot e kësaj dite me keqpërdorim të gjykatave, inkurajim e mbështetje nga ambasada US dhe Qeveria për grupin minor por uzurpator demokrat, me pasojë edhe në procesin zgjedhor korrent për bashkitë, ndonëse qartësisht shumica dërrmuese e anëtarësisë së asaj partie e shpalli botërisht, me zgjedhje një anëtar një vote se do, pranon e mbështet për lider Sali Berishen dhe iu përgjigj atij qoftë me aksione demonstrative në sheshe e qoftë me serialin e votimeve me një anëtar, një votë, që nga ngritja e strukturave drejtuese e deri tek përzgjedhja e kandidatëve për kryetarët e bashkive.

Qeveria, Ambasada US dhe grupi minor i brendshëm në PD e humbën betejën me anëtarësinë dhe elektoratin e asaj partie dhe tashmë vijojnë keqpërdorimin e instrumenteve shtetërore për të bllokuar, dëmtuar e penguar demokratët e udhëhequr nga Sali Berisha.

A besoni se Partia Socialiste ka tension dhe zien për korrupsionin e ministrave dhe drejtorëve, për të gjitha pushtetet të grumbulluara në vetëm 2-3 duar?

Nuk e njoh mirë nga brenda atë parti. Referuar sondazheve që publikohen duket se as në parti e as në elektoratin e majtë nuk pipëtin gjë. Ndoshta është kështu e nëse është pikërisht kështu tregon se as në parti e as në elektoratin e saj nuk ka krizë ndërgjegjeje për zullumet e qeverisë së vet e kjo mungesë është burim i fortë fuqie për Edi Ramën.

A mund të pajtohen socialistët e ndershëm me zullumin e qeveritarëve të korruptuar dhe të përfshirë në krim?

Ose këta të ndershmit nuk pajtohen por janë fare të paktë në atë mjedis ose edhe pse të ndershmit mund të jenë të shumtë ata pajtohen me të keqen për interesa imediate, që nga buka e gojës deri tek ato të biznesit. A nuk kërcen edhe prifti nga belaja?

Apo synon qeveria dëmtimin e biznesit përmes shembjes edhe me tritol…? Pse qeveria i zgjidh gjerat me dinamit? A mundet që ta mbajë pushtetin kjo mazhorancë me afera korruptive, me tritol, me kërcënime e plumba…?

Mbipushteti e bën qeverinë arrogante në vendime dhe të dhunshme në zbatimin e tyre. Dhuna mund të jetë verbale, administrative, civile, penale e deri fizike mbi pasurinë apo veprimtaritë. Kjo i ndodhi edhe aktiviteteve të “HysenBelliu Group”. Në një masë e formë i ka ndodhur shumë subjekteve, individë apo biznese. Shihni shpronësimet për investime publike dhe protestat e banorëve të atyre zonave e godinave gjithashtu. Ka plot shembuj të kësaj arrogancë të dhunshme të qeverisë së gjithëpushtetshme dhe është prova më e mirë se sistemi i drejtësisë është nën tutelën e saj, vegël zbatuese e kësaj arrogance të dhunshme.

Si e shikoni situatën brenda opozitës? Në kushtet ku PD-ja ndodhet, si mund ta realizojë rotacionin politik? Si mund të ndërgjegjësohen ata se kjo qeveri e ky Kryeministër duhet të ikin…?

Ne shpesh bëjmë gabimin kur e shohim politikën dhe zgjedhjet si ndeshje skuadrash futbolli që luajnë në fushë ndërsa ne, shoqëria, jemi spektatorët. Nuk është kështu. Ne, shoqëria, grupet e përhershme a të përkohshme të interesit, individët, veçmas a tok, ne jemi njëkohësisht lojtarë, jo vetëm spektatorë. Fuqia e opozitës politike, si organizim partiak, buron dhe është në proporcion me energjinë opozitare të shoqërisë. Opozita politike pasqyron, përfaqëson dhe artikulon në institucionet demokratike, përfshirë protestën, këtë energji.

Ndaj nëse opozita është e dobët në fakt është opozitarizmi shoqëror i dobët. Fuqia dëmprurëse e qeverisë, arroganca e dhunshme e saj është në proporcion invers me energjinë opozitare të shoqërisë gjithashtu. Ndaj edhe dobësinë opozitare edhe arrogancën dhe dhunën qeveritare duhet ta kërkojmë tek shoqëria e, kjo e sotmja e jona, është një shoqëri ose në arrati ose në apati. Një pjesë e madhe, veçanërisht të rinj dhe moshë e mesme, po ikin nga sytë këmbët, po lënë Shqipërinë për jetë a karrierë më të mirë në vende të tjera. Fenomeni nuk ka ndalur asnjëherë por arriti një pikë në 2015-16 dhe po arrin një tjetër pikë në 2021-2022 e në vijim.

Afërmendsh që në raport me preferencë politike kemi të bëjmë me emigrim asimetrik, pra më të shumtë në krahun e djathtë politik të elektoratit, si me në vështirësi krahasuar me atë të lidhur me pushtetin tashmë prej 10 vitesh. Gjithashtu kemi edhe masa të tëra individësh në apati, të pajtuar me gjendjen qoftë edhe e keqe, të kënaqur mjaftueshëm kur ajo është e mirë apo ca më e mirë se e tjetrit, aq më shumë kur kjo diferencë vjen për shkak të afërsisë a lidhjes me pushtetin. Siç kemi edhe masa që, në gjendjen ku janë, votën mund ta këmbejnë edhe për fare pak gjë. Siç është në rritje frika nga pushteti, nga patronazhisti, aktivisti.

Si do i dalë opozita zot Shqipërisë kur vet është e copëzuar…? A ka aktorë brenda opozitës që duan zhdukjen e PD-së? Çfarë i ”zgjon” shqiptarët?.

Që t’i kthehemi opozitës politike demokratike, po, ajo është në gjendje tejet të vështirë, e sulmuar nga qeveria e gjithëpushtetshme, nga linja zyrtare qeveritare amerikane dhe ambasada e saj këtu dhe së brendshmi nga një grup minor, por uzurpator i të drejtave legjitime që i takojnë shumicës së asaj partie, uzurpuar me ndihmën e dy të parëve përmes vendimeve të diktuara gjykatash dhe institucioneve të tjera shtetërore.

E për aq sa vlen krahasimi me modelin sportiv, zgjedhjet e radhës ngjasojnë me ndeshjen e futbollit ku lojtarëve të njërës skuadër – opozitës demokrate – i kanë lidhur nga një nyje te këmbët, i kanë lidhur edhe njërën dorë mbrapa, i kanë lënë zbathur a me këpucë pa thumba, pa uniformë e stemë, ndërsa edhe arbitrin e kanë kundër. Në këto rrethana nuk mund të presësh që të bëjë gol. As të pyesësh sa gola do hajë. Pyetja e vetme e logjikshme është a do rezistojë në fushë 90 minuta.

Opozita, veçanërisht ajo demokrate, është në betejë mbijetese. Po mbijetoi, fitoi. Pluralizmi është në agoni. Po mbijetoi fituam. Shpresoj që shqiptarët do të ndërgjegjësohen për burimin e së keqes e të reagojnë. Uroj që të mundësohet vota për emigrantët aty ku jetojnë që të zgjerohet kuorumi zgjedhor duke ulur kështu edhe peshën e rolin e manipulimeve e frikësimeve. Ndërgjegjësimi shoqëror është kushti i nevojshëm. Vota masive kundër qeverisë është kushti i mjaftueshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb