Tirana merr vendimin për çështjen “Memelli”. Sulmi ndaj trajnerit të paratërinjve bardheblu është shoqëruar me një dënim, gjithnjë nëse mund ta quajmë kështu. Alban Çejku është përjashtuar nga skuadra e drejtuar prej Migen Memellit, i cili vetëm pak ditë më parë u sulmua nga babai i tij në mes të “Skënder Halilit”.

Në këtë mënyrë, drejtuesit kryeqytetas kanë plotësuar “ultimatumin” e teknikut pogradecar, që prerazi tha se nuk do ta pranonte më në ekipin e tij kapitenin. I riu është “dënuar” duke u transferuar te të… rinjtë. Por, më shumë se masë, kjo mund të konsiderohet si rritje në detyrë për lojtarin në fjalë, për të mos thënë që është “gradim”. I riu, prej pak ditësh ka nisur të stërvitet me U-19 e Tiranës, duke realizuar në një lloj forme ëndrrën e tij.

Klubi është munduar që të mos “hedhë në rrugë” një element me temperament të vështirë, por të talentuar. Dhe sigurisht që në këtë pikë kanë shumë të drejtë, pasi gjithkush ka nevojë për një shans të dytë dhe mbi të gjitha kur bëhet fjalë për një adoleshent. Megjithatë, për të vendosur në vend figurën e një trajneri, duhet të zgjidhnin ndoshta një tjetër masë, ndoshta ta transferonin te ndonjë tjetër ekip.

Sakaq, pas largimit të Matko Djarmatit nga drejtimi i të rinjve të Tiranës, klubi ka zgjedhur menjëherë pasuesin. Tashmë skuadra U-19 ka kaluar në duart e Luan Senglës, të cilit i mbetet për detyrë që të gjejë rrugën e kthesës, pas 6 humbjeve radhazi.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/sulmi-ndaj-memellit-tirana-gradon-kapitenin-problematik/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: