Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, njëkohësisht edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Agron Duka. Ai rrugëtoi nëpër kujtime, dhe rrëfeu se së bashku me motrën dhe vëllain e tij kanë kaluar një fëmijëri normale, ku prindërit përkujdeseshin për t’i edukuar dhe përpiqeshin t’u krijonin kushtet e nevojshme për të mësuar.

Agroni rrëfeu se prindërit e tij nuk jetojnë më, dhe zbuloi se vëllai i tij 5 vite më i vogël, Armando Duka, i ka ngjarë më shumë nënës së tij si në pamje dhe karakter, ndërsa ai të atit.

Familja e Agron Dukës është marrë me biznes që në vitet ’90, dhe në “Dola te Ola” ai me sinqeritet tha se në këtë fushë nuk ka qenë shumë i talentuar, por është përshtatur. Një nga bizneset më të rëndësishme për Agronin është padyshim “Kantina Duka”, që njihet nga të gjithë për verërat cilësore dhe natyrën e mrekullueshme që ofron, dhe për të cilën Stefi i dedikoi një këngë në program deputetit.
Përveç biznesit vëllezërit Duka i bashkon edhe sporti, edhe pse deputeti ka qenë lojtar, ndërkohë që Armando Duka, president i Federatës së Futbollit, menaxher i mirë.

Agroni tregoi në program se ka luajtur për 20 vjet volejboll, me Dajtin kur ishte student dhe më pas me Erzenin. Armando Duka e surprizoi me një videomesazh të vëllanë, të cilit i tha ndër të tjera se ka qenë shembulli që ai dhe motra e tyre kanë ndjekur në jetë.

Kreu i PAA-së foli në program edhe për bashkëshorten dhe fëmijët e tij, duke thënë se është i lumtur për familjen që ka. Ai është bërë edhe gjysh, ndaj emocionet për të u shtuan kur në studio u shfaq edhe një video e nipit dhe mbesës së tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb