TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur pas mbylljes së seancës plenare për debatin me opozitën si dhe çështjen McGonigal.

Sa i përket kërkesës së PD për ndryshimin e rendit të ditës, ai tha se ajo nuk shqyrtohet në seancë dhe se ishte një kurth për të hequr vëmendjen nga loja me paratë ruse të PD-së dhe nga provat e reja të 21 janarit.

“Ju nuk jeni një institucion që vini në dyshim fjalën time. Kërkesa nuk shqyrtohet në seancë, i lihet kohë tre ditë të shqyrtohet në konferencën e kryetarëve. Deputetët kërkues jo vetëm që bënë prezantimin 3 minuta, por morën dhe 2 minuta të tjera. Një kurth për të hequr vëmendjen nga loja me paratë ruse të PD-së dhe për të hequr vëmendjen nga provat e reja të 21 janarit”, tha Balla.

Duke iu rikthyer çështjes McGonigal, ai deklaroi se hetimi për këtë çështje ka mbaruar dhe ka vetëm një të pandehur që është ish-zyrtari i FBI.

“Është një hetim që po zhvillohet në SHBA, që ka vetëm një të pandehur dhe në momentin që kërkesa (e PD) do të vijë sipas rrugëve procedurale, do të merret në shqyrtim përsëri. Sa herë kërkesa të ketë firmën e Sali Berishës, do të rrëzohet.
Ti mund të vazhdosh 4 vite të ma bësh këtë pyetje unë do të jap të njëjtën përgjigje.
Kryetarja e Kuvendit germë për germë, fjalë për fjalë me rregulloren e Kuvendit i ka marrë të gjitha masat një pas një.
Për zhvillimin normal të seancës së Kuvendit duhet të zbatohet rregullorja. Ta harrojë Sali Berisha dhe Gazment Bardhi po të doni se do të bllokojë punën e Kuvendit.
Ky është një proces që ka disa afate. Në rast se do të bënim çfarë do Sali Berisha, i binte që akti normativ të rrëzohej sepse nuk kapim afatin dhe atyre 695 mijë pensionistëve t’iu tërhiqnim mbrapsht paratë.
Gjithë kjo dhunë e ushtruar në Kuvendin e Shqipërisë është derivat ose e lidhur”, tha ai.

Balla theksoi se asnjë autoritet i shtetit shqiptar, asnjë ministër apo kryeministër nuk është i përfshirë në këtë hetim.

“E para është që për këtë çështje kam mbajtur një fjalë në Kuvend ku kam sqaruar pozicionin tonë, ku asnjë autoritet i shtetit shqiptar, asnjë ministër apo kryeministër nuk është i përfshirë në këtë hetim. Është përmbyllur ky hetim, dosja ka shkuar në gjykatë me një të pandehur. Nuk ka asnjë përgjegjësi politike. Sa kohë mendoni që ka një përgjegjësi politike se një kryeministër pret një zyrtar të rëndësishëm të një vendi tjetër.
Ky individ ka takuar dhe autoritete të qeverisë gjermane apo austriake. Në asnjë nga vendet e tjera nuk ndodh kjo. Kjo është një përpjekje për të hequr vëmendjen. SPAK ka marrë në vlerësim kallëzimin lidhur me provën e re të 21 janarit. Katër vrasje, vrasje shtetërore ku përfshihet drejtpërsëdrejti ish-kryeministri apo ish-ministri mendoj që duhet të marrë një vëmendje më të madhe.
Kjo që po them është qëndrimi zyrtar i grupit të PS. Asnjë zyrtar i PS-së nuk ka asnjë lidhje me të. Është shumë e thjeshtë gjëja, dosja ka shkuar në gjykatë, ka vetëm një pandehur”, theksoi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb