Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka nga protesta e opozitës sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se protestuesit nuk ishin në tubim për të dhe Berishën, por për shqiptarët.

“Ky është kriminel që vjedh miliona dhe i burgos shqiptarët për 30 mijë lekë të vjetra. Ça mendoni se jeni këtu për Berishën e Palokën? Jo vëllezërit e mi jo, këta janë për të gjithë shqiptarët që mos të përsëritet ajo që kemi kaluar një herë në kurriz. Ndaj dilni sa nuk është vonë kur t’ju vijë e keqja. Mos prisni. Ky parlament është turp, ta quash të tillë. Marrëdhënien me këtë parlament e kam përcaktuar që ditën e parë, se e dija si do ndodhte. Për faqen e tyre të zezë, për turpin e tyre.”, tha ai.

Ai shtoi më tej se; “Pasi morën drejtësinë në dorë, SPAK-un e kanë në dorën e tyre. E di sa deputetë të PD janë thirrur në SPAK. Më thirrën dhe mua sepse para 2 vitesh paskam ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit në një protestë të PD. Gjetën një nga pikat kur ne po protestonim. Ky është SPAK, që lë kriminelët rrugëve dhe kryekriminelin rrugëve. Nuk e merr guximin që të marrë në pyetje Ramën. Do presim akoma? Çfarë ka për të pritur më? Ose e shporrim një orë e më parë, ose do ulim kokën dhe t’i nënshtrohemi një perversi. Ndaj të jeni të bindur se kjo lëvizje, edhe pse mund t’i duket se ka filluar të marrë vrullin, të jeni të bindur se me këmbëngulje do fitojmë. Ai që është strukur nuk do e nxjerrë kokën, por do të struket një orë e më parë. Të gjithë në 3 mars për fitoren përfundimtare.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb