Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, me anë të një postimi në rrjetet sociale, është shprehur se sot është kaluar një akt normativ, që ka lidhje me ndryshimin e buxhetit dhe ku preken paratë që t’i shërbejnë projektit të Portit në Durrës.

Tabaku thekson se Porti i Durrësit do të kushtojë 400 milionë euro nga taksat e qytetarëve.

Postimi i deputetes Jorida Tabaku:

Akti Normativ = Porti Durrësit kushton 400 mln euro nga taksat tuaja!

Ditën e sotme, shpejt e shpejt, u miratua Akti Normativ për Buxhetin që ka ardhur as dy muaj pas fillimit të vitit.

Nxitimi i qeverisë për këtë Akt lidhet me një projekt që një vit e katër muaj më parë qeveria e mohoi për 14 orë rresht që do ndërtohet me taksat e shqiptarëve. Porti i Durrësit që u shkatërrua për t’i dhënë jetë një projekti me shumë pikëpyetje dhe që ndoqi një rrugë ligjore me shumë pikëpyetje, shkatërroi Portin e Durrësit.

Janë 400 mln euro që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve për një Port që ekzistonte por që qeveria vendosi ta shkatërrojë për ta ndërtuar diku gjetkë. Në fillim premtoi se do e ndërtonte me PPP nga një garë ndërkombëtare ku ishin thërritur kompanitë më prestigjoze të huaja. Por, as dy vjet pas këtij premtimi dhe nga xhepat e shqiptarëve merren 90 mln euro, nga taksat e rritura, për të ndërtuar një port që ekzistonte dhe që fitonte edhe fonde nga BE.

Kësaj shume, një kontabilist i zoti që i mungon sot qeverisë, do t’i shtonte edhe koston e një gjyqi në Arbitrazh që na rrezikon disa miliona të tjerë për një kontratë që kjo mazhorancë e miratoi me votat e saj në mandatin e saj të dytë.

Kjo është e gjithë arsyeja e rishikimit të buxhetit, që në dhjetor ishte buxheti më i madh në vend dhe i shqiptarëve, ndërsa sot na rezulton si përherë buxheti i një pakice që fiton nga taksat e shumicës!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb