Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, reagoi pas incidentit në ambientet e gjykatës mes Vlora Hysenit dhe gazetares Klodiana Lala. Tabaku e cilësoi sjelljen e Hysenit si kërcënim dhe shantazh ndaj gazetares, duke e konsideruar dëshmi të një sistemi ku institucionet përdoren për interesa personale.
Sipas Tabakut, në ditën e parë të përballjes me drejtësinë, Hyseni duhej të merrte seriozisht akuzat që rëndojnë ndaj saj, në vend që të sulmonte gazetaren. Deputetja e PD-së e lidhi këtë sjellje me mënyrën se si, sipas saj, pushteti ka vendosur institucionet në shërbim të një njeriu të vetëm.
“Ky është shteti privat. Shteti privat që kontrollon çdo gjë, ku ti je në ato pozicione vetëm nëpërmjet kontrollit dhe shantazhit. Ky është shteti personal, ku nuk njihet më as llogaridhënia, as ligji, as Kushtetuta, as rregulli, por njihet vetëm interesi personal”, u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar akuzave që përmendi në deklaratën e saj për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, Tabaku tha se përdorimi i një institucioni të sigurisë në shërbim të interesave personale përbën një nga çështjet më të rënda me të cilat është përballur shteti shqiptar në 35 vitet e fundit.
Sipas saj, çështja e SHISH-it dëshmon dështimin e mekanizmave të kontrollit dhe të sistemit të sigurisë kombëtare, ndërsa cenon edhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Tabaku theksoi se përqendrimi i pushteteve në duart e një njeriu dhe varësia personale e drejtuesve të institucioneve kanë zëvendësuar përgjegjësinë ligjore dhe llogaridhënien. Sipas saj, ky kontroll përdoret edhe për mbrojtje politike sa herë që njerëzit e pushtetit përballen me drejtësinë.
“Ky sistem i ka nxjerrë shqiptarët në rrugë. Ky sistem i ka nxjerrë shqiptarët për të protestuar. Ky sistem duhet çmontuar për ta çuar Shqipërinë përpara”, përfundoi Tabaku.
