Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin për “keqpërdorim të foltores” dhe fajësim të opozitës pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar situatën si të krijuar nga vet ai.
Ai tha se seanca e fundit ishte vazhdim i një krize politike që, sipas tij, po i mban qytetarët në pasiguri.
“Ashtu siç e patë, sonte përfundoi edhe episodi i fundit i një filmi triller, i një kohe e cila me të vërtetë secilin qytetar të Kosovës është duke e mbajtur në ethe. Sonte, edhe në episodin e fundit, pra dhe në seancën e fundit, Kryeministri i Kosovës e përdori, respektivisht e keqpërdori foltoren duke e goditur skajshmërisht opozitën, duke u mundu me hudhë fajin tek subjektet politike opozitare, në një gjendje bukur dështuese dhe bukur tronditëse, të cilën e solli vetë në Kosovë. Pra, edhe sonte u shpreh mllefi, mllef i cili buron nga nevoja e tij me marrë dhe me pasë pushtet”, tha Tahiri.
Ai deklaroi se, pavarësisht zhvillimeve, demokracia në vend ka mbijetuar.
“Sot shpëtoi demokracia në Kosovë”, tha ai.
