Policia në Vietnam ka arrestuar nëntë persona dhe ka shpëtuar më shumë se 400 mace të gjalla gjatë një operacioni kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për vjedhjen dhe tregtimin e kafshëve shtëpiake.

Sipas autoriteteve në qytetin Ho Chi Minh, rrjeti dyshohet se ka vepruar për rreth tre vite në jug të vendit, duke vjedhur mace nga zona të ndryshme dhe duke i destinuar për shitje si mish. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar gjithashtu edhe disa kafshë të ngordhura, të ruajtura në akull, si dhe dhjetëra mace të tjera në vende të ndryshme.

Më shumë se 400 mace u gjetën të gjalla dhe disa prej tyre janë ribashkuar me pronarët e tyre. Megjithatë, sipas organizatave për mirëqenien e kafshëve, rreth 100 prej tyre kanë ngordhur më pas si pasojë e gjendjes së rënduar dhe përvojës së vështirë.

Organizata “Humane World for Animals” bëri të ditur se të paktën 40 mace janë kthyer tashmë te familjet e tyre, ndërsa theksoi se prioritet mbetet kujdesi për kafshët që ende mbahen si prova gjatë procesit hetimor.

Autoritetet thanë se të dyshuarit i joshin dhe i kapnin kafshët në zona të ndryshme të Vietnamit jugor, ndërsa ende po hetohet nëse ata dispononin dokumentacion ligjor për tregtimin e tyre, siç kërkohet nga ligji vietnamez.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kanë kërkuar trajtim më të mirë dhe kushte më humane për kafshët e sekuestruara, ndërsa hetimet për rrjetin kriminal vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb