Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të dënuar ish-ministrin Saimir Tahiri për shpërdorim detyre, duke rrëzuar akuzat për trafik droge e grup i strukturuar kriminal.

Manjani shkruan në “Facebook” se nuk kishte dyshime që akuza për trafik e korrupsion ndaj Tahirit do të binte turpshëm, duke shtuar se edhe akuza për shpërdorim detyre do të bjerë në Apel. Sipas ish-ministrit, problemi nuk është Tahiri si individ, por sistemi, që sistemi i drejtësisë, nga i cili duhen shkulur praktikat inkuizitore.

“I mbetem besnik parimit që problemi NUK JANË NJEREZIT POR SITEMI. Dhe nga sistemi i drejtësisë duhen shkulur praktika inkuizitore që na kanë mbetur nga ndikimi i jurisprudencës bolshevike, në sistemin e hetimit e të gjykimit. Se ja, ra ky rasti ti Sajmirit që u pa se sa i pa drejtë është sistemi e ç’lesh reforme është bërë…”, shkruan Manjani.

Mesazhi i plotë:

Ndjesi miks.
===========
Nuk kisha asnjë dyshim që akuza penale për trafik e korrupsion, ashtu siç u stis do binte turpshëm. Shpërdorimi i detyrës është një vepër penale llastik me origjinë bolshevike, por edhe ajo akuzë e dënim jam i sigurtë që do bjerë në Apel. Sajmir Tahiri si person ta gëzojë pafajsinë! Unë mendoj se ka triumfuar parimi mbi individin. Askush nuk mund të arrestohet e dënohet pa prova! Por, ky parim duhet të zbatohet për të gjithë njësoj.

Politika duhet të kuptojë njëherë e mirë se kundërshtari nuk mund të dënohet ligjërisht për motive politike. U shoftë ajo politikë që urdhëron apo uron burgosjen e kundërshtarit, vetëm pse është kundërshtar! Ca më keq akoma, ajo politikë që i bën njerëzit kokë turku, duhet shkulur megjith rrënjë… Publiku duhet të kuptojë se nuk është gjykatës i akuzave juridike, por pronar i votës. Pra politikanin ka në dorë të mos e votojë dhe jo ta gjykojë juridikisht si në kohë të Enverit. Gjyqet popullore janë sjellje diktatoriale.

Të gjithë ata që na hapën barkun me “drejtësinë e ambasadave”, duhet të qepin gojët dhe haletë! Duhet të kuptojnë se drejtësia, politika e ekonomia do bëhen në Shqipëri e nga shqiptarë. Kështu ka qenë e do jetë! Pordhët me agjentë e të dërguar të posaçëm nuk durohen më!

Drejtësia ka shumë punë që ti trajtojë të gjithë njësoj si Sajmirin. Duhet të lirojë nga akuza disa persona, duke filluar me Dritan Zaganin, i cili u dënua si kundërshtar politik dhe jo si shkelës ligji. E kështu me radhë shumë të tjerë që mbahen në burg pa një provë të vetme direkte… beyëm trajtimi i të gjithëve njësoj, pra si të barabartë para ligjit e bën drejtësinë të besueshme!

Së fundi gjithnjë e më shumë bindem se reforma e vërtetë në drejtësi, pra reforma e procedurave e procesit hetimor e gjyqsor ende nuk është bërë. Kjo që u bë ishte një përsëritje e stërholluar e reformës së plepave të 1993.

I mbetem besnik parimit që problemi NUK JANË NJEREZIT POR SITEMI. Dhe nga sistemi i drejtësisë duhen shkulur praktika inkuizitore që na kanë mbetur nga ndikimi i jurisprudencës bolshevike, në sistemin e hetimit e të gjykimit. Se ja, ra ky rasti ti Sajmirit që u pa se sa i pa drejtë është sistemi e ç’lesh reforme është bërë…

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb