Tajvani është në ankth përpara samitit të Donald Trump me Xi Jinping, me zyrtarët qeveritarë dhe analistët të kujdesshëm ndaj deklaratave ose angazhimeve të mundshme që mund të ndikojnë në çështjen delikate të Tajvanit. Ndërsa qeveria e Tajpeit duket qetësuese në publik, zhvillimet prapa skenave po vëzhgohen me shumë kujdes.
Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, tha këtë javë se mbetet optimist për marrëdhëniet e Tajpeit me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje se Uashingtoni ka siguruar vazhdimisht se politika e tij ndaj Tajvanit nuk do të ndryshojë.
Megjithatë, ai pranoi se ka shqetësime të forta rreth takimit Trump-Xi.
“Sigurisht që shpresojmë që samiti Trump-Xi të mos sjellë ndonjë surprizë mbi çështjet që lidhen me Tajvanin”, tha ai.
Shqetësimi në Taipei u intensifikua pasi Trump tha se kishte ndërmend të diskutonte drejtpërdrejt me Xi-në shitjet e ardhshme të armëve amerikane në Tajvan.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se beson që “Xi do ta ngrejë çështjen e Tajvanit më shumë sesa unë”.
Në Tajvan, edhe ndryshimet e vogla në formulimin e politikës amerikane trajtohen me shumë kujdes, veçanërisht në një kohë kur një paketë e dytë ndihme ushtarake për Taipein, me vlerë të paktën 14 miliardë dollarë, mbetet në shqyrtim në Uashington.
Sipas politikës së hershme të ” një Kine “, Shtetet e Bashkuara e njohin qëndrimin e Kinës se Tajvani është pjesë e territorit kinez, por nuk e kanë njohur zyrtarisht sovranitetin e Pekinit mbi ishullin vetëqeverisës.
Uashingtoni mban lidhje të ngushta jozyrtare me Tajvanin dhe ka miratuar shitjen e miliarda dollarëve në sisteme të përparuara armësh në ishull, me mbështetje dypartiake.
Në të njëjtën kohë, SHBA-të mbeten strategjikisht të paqarta nëse do të ndërhynin ushtarakisht në rast të një sulmi kinez.
Koha konsiderohet veçanërisht e vështirë për partinë në pushtet të Tajvanit, e cila tashmë po përballet me konfrontim të fortë politik mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe marrëdhëniet me Pekinin.
Disa ditë para takimit Trump-Xi, parlamenti i Tajvanit i kontrolluar nga opozita miratoi një paketë mbrojtjeje të reduktuar ndjeshëm, pavarësisht presionit në rritje ushtarak të Kinës rreth ishullit.
Analistët në Taipei shprehin gjithashtu shqetësim për qëndrimin shpesh të paparashikueshëm të Trump, duke theksuar se menaxhimi i çështjes së Tajvanit është bazuar për më shumë se katër dekada në një gjuhë diplomatike të formuluar me shumë kujdes, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit të brishtë në Ngushticën e Tajvanit.
