Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi për Supersport se situata në të cilën ndodhej Kombëtarja ishte emergjente, por ekipi fitoi duke lënë pas zhgënjimin me Turqinë.

“Ishim në një situatë emergjente për ndeshjen e sotme, dua të komplimentoj Bulkun me Memën. Duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen. Kemi humbur një ndeshje me Turqinë, por nuk kemi pse qajmë më. Edhe ekipet e tjera do humbin, dhe dikush do ngecë në këtë fushë të Andorrës. Gëzohem që nuk ishim ne.”

Në lidhje me Edi Rejan, Duka u shpreh:

“Unë e kam takuar pas ndeshjes me Turqinë, kam diskutuar me të se si e pa ai skuadrën. Në bisedë e sipër, më tha se ishte i pakënaqur me atë që dha ekipi në fushë. I thashë që kemi emra të mirë, por natyrisht nuk biseduam për stolin. Tani e tutje do të mendojmë për emrin e trajnerit të ri.”

Trajneri i ardhshëm shqitar?

“Fakti që ne nuk kemi pasur një trajner shqiptar deri tani, është se mund të kemi një trajner me eksperiencë më shumë nga jashtë. Gjithsesi, duhet të vëmë në peshë avantazhet dhe disavantazhet e atyre që kemi ne në mendjen, dhe do vendosim. Trajneri vendas njeh më mirë mentalitetin, në të ardhmen ndoshta do të emërohet trajner vendas, por jo në këtë moment. Nuk është e lehtë të flasim sa do zgjatë kontrata me trajnerin e ri, nuk bëhet asnjëherë një plan afatgjatë, por asnjë trajner nuk ka interes të bisedojë vetëm për 6 muaj, të gjithë duan projekt më afatgjatë”, deklaroi Duka.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb