TIRANE- Partia Socialiste ka zhvilluar sot një takim me gratë që kandidojnë për Këshillat Bashkiakë. Në takim ishin të pranishëm vetëm dy burra të PS-së, kryeministri Edi Rama dhe kandidati për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa pjesa tjetër e panelit ishin vajza dhe gra.


Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit shqiptar, njëherësh dhe kreu i Partisë Socialiste, Rama deklaroi se ka qenë gjithmonë pro idesë për integrimin e femrave në politikë. Sipas Ramës, të votosh për kandidatet femra të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” do të thotë që ta çosh Shqipërinë në “Drejtimin e Duhur”. Nga ana tjetër, kryeministri risolli në vëmendje futjen e grave në politikë, që nga 30 përqindshi në Asamblenë e Partisë Socialiste, deri sot që 50 % e tyre do jenë pjesë e Këshillave Bashkiake.

“Ja arritëm kësaj dite, se më kujtohet në ato fillime kur nisëm një reformë në drejtim të ekuilibrit gjinor në PS qysh në 2005 dhe pastaj bëmë zgjedhjet e 2007. kam bërë beteja të paharrueshme, sidomos në zonat e veriut, apo dhe në periferi të jugut. U thoja ore fusni ndonjë grua, nuk ka gra më thoshin. I thash ore me kë jeni martuar? Po fëmijët me kë i keni? Këshillat Bashkiak ishin mbushur me burrat. I keni parasysh vetë ju që keni pak eksperiencë në këtë fushë. Nisën me pas me disa ndryshime në statusin e partisë, futëm kuotën 30 për qind në Asamble. Unë në krye të herës, e vetmja gjë që kërkojnë për kryetar bashkie, kërkojë që 50 % e tyre të ishin femra. Si fillim kanë qenë 4 gra, e më pas mbërritëm të hedhim hapa të tjerë. Vërtetë kemi arritur shifra krenaruese. Ka një shprehe që thotë se kur shoh të tjerët ngushëllohem, kur shoh vetën dëshpërohem. Por kjo nuk vlen për vendet e BE-së. Në vendet e BE gratë përfaqësojnë në mesatare 14 për qind në drejtimin e bashkive. Ne sot kemi kandidatura si ‘Aleancë për Shqipërinë Evropiane’ 16 për qind.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kreu i Qeverisë pohoi bindjen se 12 kandidatet që janë zgjedhur për garën kryetare bashkie do të fitojnë. Rama shtoi më tej se në zgjedhjet e 21 qershorit, të gjitha këto kandidate do përcjellin mesazhin e qartë tek shumë gra e vajza të tjera në mbarë vendin.

“Kam besim se ato do bëhen kryetare bashkie. Atyre u takon që zgjedhja të bjeri mbi to, edhe pse për të vërtetën e thjesht se vota për to është e sigurt dhe për drejtimin e duhur. Pavarësisht të gjithave, në bashki do jenë prezente për 4 vite, thjeshtësia dhe dëshira për të shërbyer. Dhe jo arroganca që kthehet në tipar i drejtueseve që janë burra. Zamira në Gjirokastër, e Florjana në Sarandë, e Juli në Urë Vajgurore, jam i bindur se me këtë propozim. Kemi të drejtën e plotë të kërkojmë mbështetjen e tyre që ti çojnë punët në drejtimin duhur. Në anën tjetër është një histori për të ardhur keq, është një histori që nuk mund dot të bësh asnjë lloj krahasimi, jo vetëm për numrin modest për kandidatet, dhe shumë të ulët të deputeteve në Parlament krahasuar me ne, por dhe për cilësinë shumë të ulët të debatin, për problemet e vendit që janë probleme të cilat gratë i ndjejnë dhe i kuptojnë shumë më mirë e më qartë. Se shpjegoj dot ndryshe që 65 % e grave shqiptarë mbështesin PS-së. Përqindja e grave është më e lartë sesa e burrave. Juve do keni përgjegjësinë që të përfaqësoni PS në këshillat Bashkiak, nga Tropoja deri në Konispol. Këtë rrugëtim drejt 21 qershorit, keni mundësinë të përcillni mesazhin e qartë të drejtimit të duhur për tu bërë pikat e rëndësishme të kontaktit me vajzat dhe gratë e komunitetin tuaj.”, shtoi Rama.

Kryeministri përsëriti deklaratat e tij se zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë politike dhe nuk do të ndryshojnë qeverinë por do të sjellin përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Rama tha se modeli më i mirë i drejtimit të bashkive nga demokratët është Tirana, ku sipas tij nuk është bërë asgjë.

“Më 21 qershor nuk do votojmë për ndryshimin e qeverisë, as për parlamentin. Do të votojmë për gjërat e jetës së përditshme të familjes. Do të votojmë për kush mund ta bëjë më mirë punën, për të siguruar një shërbim më të mirë në çerdhe, në kopshte, në shkolla. Do votojmë se kush do ta bëjë më mirë punën, që gjyshja apo gjyshi të dalin nga shtëpia dhe të mos gjenden përpara rrezikut për tu aksidentuar nga makinat, për të dalë me nipin e mbesën normalisht.

Do votojmë se si do jetë transporti. Si do jetë grumbullimi dhe përpunimi i mbeturinave dhe si do jetë lagjja ku familja jeton, që është një problem shumë i madh. Kush është ai apo ajo që do të merret seriozisht me këtë problem dhe ka kapacitetin për ta zgjidhur. Do votojmë se kush na sjell ujin në shtëpi. Të gjitha këto pyetje nuk kanë lidhje me kush shan më shumë, kush bën batuta më të bukura, kush i përgjigjet tjetrit me shumë patos apo zemërim. Modeli i drejtimit të një qyteti të krijojë një model ndryshimi. Kush është më i miri i tyre, është ai që nuk bëri asgjë në Tiranë. Imagjinoni ç’mund të jetë për Durrësin, për Shkodrën e me radhë. Në cilin aspekt apo sektor PD tregoi se di ta kthejë sektorin në një burim mirëqenie, burim shprese për qytetarin. Tek energjia e treguan modelin e tyre të suksesit, apo të bujqësia? Mos e treguan tek arsimi, që e kthyen në një kombinat të prodhimit të diplomave false. Apo e treguan tek shëndetësia që i lanë spitalet pa asnjë kokërr aspirinë. E treguan tek legalizimet?, tha Rama

Sipas tij “Është shumë e rëndësishme që në këtë proces, komunikimi i grave të jetë pjesë e pandarë e komunikimit të kandidatëve apo kandidateve”. “Sigurisht që ka plot gjëra për të thënë për gratë. Fakti që sot janë 20 mijë gra që kanë dalë në pension dhe kanë një pension më të lartë falë ligjit që kaluam në parlament, është një arsye që gratë ta mbështesin edhe më shumë PS-në, të mbështesin më shumë reformat. 5 mijë gra që gjithë jetën e tyre ja kushtuan burrit, nuk e patën kurajën që pati Arta, në fund fare do kishin mbetur pa kokërr leku. Por falë reformës sonë të pensioneve dhe ligjit që miratuam ato sot kanë pension. Ligji i Saliut i mori më qafë. Falë fondit të nxitjes së punësimit, janë 70% gra dhe vajza që shkojnë në punë dhe 30% burra dhe djem”, u shpreh kryeministri.

Ai solli vargjet e poetit Andon Zako Çajupi për të ilustruar reformën që ka bërë qeveria për rritjen e kuotave të grave dhe përfitimet e tyre nga puna e bërë nga qeveria.

“Sikur ta ngjallnim Çajupin do thoshte këtu s’paska ndryshuar asgjë. ‘Burrat nën hije, lozin kuvendojnë, pika qu bie se nga gratë rrojnë’. Por edhe kur i bie pika, janë gratë që i shpëtojnë, “Lëre se është i mirë, gjynah” thonë. Sigurisht në 18 muaj kemi njëmijë e një arsye për të qenë shumë më të inkurajuar dhe të bindur dhe se do t’ja dalim, por jo se ja kemi dalë. S’ka grua, s’ka vajzë në Shqipëri që i ka gjetur gjërat gati. Gratë dhe vajzat e dinë çdo me thënë të mos i gjesh gjërat gati, por ti bësh gati për burrin, për vëllain, për djalin, për vjehrrin dhe për kushërinjtë e burrit kur vijnë ndonjë herë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se reformat e qeverisë janë operacione dhe ilaçe të hidhura, siç janë të vërtetat. Ai e krahasoi qeverinë me një “nënë” dhe Shqipërinë me një “fëmijë”.

“Nuk ka nënë që ta çojë fëmijën në operacion për ta torturuar, por nuk ka nënë që thotë që unë nuk e çoj fëmijën në operacion se ka dhimbje pavarësisht se rrezikohet nga një sëmundje. Reformat janë pikërisht operacione dhe ilaçe të hidhura, siç janë rëndom të vërtetat. Ne kemi zgjedhur ilaçet e hidhura. Çka kemi filluar së bashku është njëhistori e re për të cilën do të jemi të gjithë krenar. Vota e 21 qershorit të kthehet në një investim që familjet shqiptare do të marrin mbrapsht. Me dhimbje do ta mbyll. S’më ka ndodhur të jem përballë një pamje të tillë gozhduese. Ju siguroj që kjo përpjekje e juaj jo vetëm që ja vlen, por vlerën e kësaj përpjekje do ta tregojmë me krenari pas 4 vitesh”, përfundoi Rama.

VELIAJ: NUK DO MUNGOJNË SHPIFJET, KURAJO, KOKA LART, KURRIZI DREJT SEPSE POLITIKA E PUNËS FITON!
Gjatë fjalës së tij, Erion Veliaj ka inkurajuar gratë që pavarësisht vështirësive në fushatë të mos tremben dhe të ecin përpara. Veliaj ka përmendur disa nga arritjet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, të cilën e drejtoi për 18 muaj, që kanë të bëjnë me gratë.

“Ky shesh kaq entuziast dhe energjik nuk ka qenë asnjëherë më parë. Disa e kanë fushatën për herë të parë. Nuk do mungojë njëra palë që shpif. Jam këtu tu them kurajo, merrni zemër, koka lart, kurrizi drejt sepse politika e punës fiton. Ja ku jemi sot. Kjo varfëri e ambicieve na ka mbajtur pas këto 24 vite. Është një moment që të kalojmë në pasuri të ambicieve. Në 1 vit e gjysmë, ne nuk jemi ende në destinacion por nuk ka asnjë dyshim që jemi në drejtimin e duhur. 20 mijë gra kanë një pension më të lartë falë një reforme që u drejtua nga gratë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Sot në Shqipëri 5000 gjyshe kanë një pension social që nuk e kishin më parë. Nuk jemi në destinacion por ne jemi në drejtimin e duhur. Sot 88 mijë gra e marrin ndihmën ekonomike. Kemi patur një fond të nxitjes së punësimit që dikur punësonte 99% burra sot punëson gra”, tha Veliaj.

Ai nuk ka lënë pa përmendur rivalin e tij, Halim Kosova, duke hedhur batuta për profesionin e tij. Veliaj tha se një prej arritjeve të Ministrisë që ai drejtoi ishte ehde transferimi i lejes së lindjes tek burri. “Kemi pasur një debat, që kandidati i PS nuk është gjinekolog dhe nuk ndihmon dot gratë, por ne e kemi një gjinekolog në listë, për të cilin them se është edhe më i mirë. Për herë të parë leja e lindjes mund ti transferohet një burri, kur gruaja është e suksesshme, ecën në karrierë dhe nëse një grua është e suksesshme le ti rrisë fëmijët burri”, tha ai.

Para Veliaj, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla deklaroi se nuk është e vështirë që një grua të merret me politikë. Nikolla pohoi se janë mbi 700 femra kandidate të PS-së në gjithë vendin, dhe 12 që aspirojnë për kryetare bashkie.

“A e bën politika më të fortë një grua apo gratë e bëjnë një politikë më të mirë? Është aftësi e në zonjave. Më lejoni tju rrëfej një histori timen. E kam nisur aktivitetin 12 vite më parë në politikë. Sot po e them troç se nuk është e vështirë të bësh politike për një grua, nuk është as e lehtë, por është shumë bukur. Sot në gjithë vendin janë mbi 700 gra kandidate për partinë socialiste, dhe 12 gra për kandidatet për Bashkinë. Secila prej nesh është zëri jonë. Secila prej nesh duhet të shkojë derë më derë e të flas me njerëzit që të bindni që të votojnë për PS-në. Ju jeni vajza të dy prindërve, gra të dikujt dhe nëna të fëmijëve tuaj.”, pohoi Nikolla.

Nga ana tjetër, Nikolla theksoi se ‘ashtu siç kryeministri Rama ktheu Shqipërinë në drejtimin e duhur, ashtu mund ta ktheni dhe ju bashkinë në drejtimin e duhur’.

“Le të marrim përsipër të sjellim sa më shumë vota për Partinë Socialiste. Sot, PS ka në qeveri 6 ministre, dhe 7 së bashku me ministren e Integrimit. Në 2007 PS pa kontributit tim në këtë parti më besoj garën për të kandidaturën për njësinë bashkiake nr.1 në Tiranë. Disa më qan hallin se nuk do e fitojë garën. Por besova tek vetja. Shtrëngoja duart çdo ditë dhe i numëroja, e llogarisja sa kisha shtrënguar. PS është fuqia e rritjes sonë, fuqia më e mirë.”, tha Nikolla.

E pranishme në këtë event ishte dhe deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se fuqia e grave është një e padiskutueshme. Teksa falënderoi në mënyrë të veçantë kryeministrin Edi Rama, Xhaçka pohoi se sot gratë kanë një mundësi të votojnë Partinë Socialiste.

“Gra që shërbejnë si shembu suksesi për shumë të tjera që aspirojnë politikën më njerëzore dhe më të aksesueshme. Jo, asgjë nuk është koiçidencë dhe nuk është merita e një njeriu të vetëm. Po kryeministri padiskutim ka një kontribut të paçmuar në fuqizimin e grave në vizionin dhe punët e bëra mirë. Ajo që dua t theksoj sot është se gratë kanë shumë mundësi të votojnë PS. Ju uroj suksese të gjithave ju që merrni pjesë në Këshillin Bashkiak.”, tha Xhaçka.

Nga ana tjetër, ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se “Nëse nuk do i jepeshin shansi grave, atëherë do u hiqej mundësia dhe talenti për të bërë diçka të mirë. Ne nuk mund ta humbim këtë shans.”

Një tjetër zë i fuqishëm i gruas për Partinë Socialiste, Arta Dade tha se tashmë 50 për qind e Këshillave Bashkiak aspirojnë të zihen nga gratë.

“Dua të falënderoj Kryeministrin që mbështeti dhe punoi për gratë në parlament. Sot ky shesh është i tejmbushur me gra që aspirojnë politikën. 50 për qind gra e vajza në këshillat Bashkiak është një arritje. Është kënaqësi që t’ju drejtohem sot dhe t’ju falënderoj që u bashkuat me ne, për të emancipuar shoqërinë tonë dhe drejtësi sociale. Për shërbim më të mirë shëndetësor dhe për më shumë vende punë. Ligji dhe përzgjedhja na e ofron vetëm shansi. Angazhimi im në politikë nuk do kishte kuptim po mos të punonim për fuqizimin e grave në politikë. Kjo është sfida e radhës. Ka gjithmonë një vend në ferr për ato gra që nuk mbështesin gratë. Burrat që s’kanë gra e kanë të vështirë të marrin vendime”, tha Dade. Ajo e ka quajtur Veliajn, kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës dhe e ka cilesuar të suksesshme punën e tij si ministër. “Një njeri që ka ditur di bëjë vend vetes në PS. Një orator të lindur. Një ministër që i dha shumë kësaj qeveri në çështjet sociale. Kam kënaqësinë të ftoj Erionin, kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës”, tha Dade.

 

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb