Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia “do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon”. Kurti i bëri komentet në një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të martën në Athinë.

Greqia dhe katër vende të tjera të Bashkimit Evropian – Spanja, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

“Greqia dhe Kosova duhet t’i forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan”, tha Kurti, citon një komunikatë e lëshuar nga zyra e tij.

Kurti po ashtu theksoi rëndësinë që, sipas tij, ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Dendias, në anën tjetër, tha se Greqia “vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave” dhe se “do ta përkrahë dhe ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane dhe euro-atlantike”.

Dendias, sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kurtit, nuk ka folur për njohjen e Kosovës nga Greqia, por ka shprehur “vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë”.

Kurti, më 8 korrik, ka takuar në Athinë edhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Edhe në atë takim, Kurti ka kërkuar që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën, ka bërë të ditur kabineti i tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb