TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS për sa i përket refuzimit të kandidaturës së maxhorancës për Ministër të Brendshëm.

Ndërsa Rama tha në mbledhjen e grupit se “do ia krijojmë ne bindjen Presidentit” duke u kapur tek deklarata e Metës për arsyetimin e mosdekretimit të Sandër Lleshit, Meta thekson se nuk do lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues. Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.
Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, deklaroi sot zëdhënësi i Presidentit të Republikës.

Kryeministri Edi Rama sot në mbledhjen e grupit të PS, ka njoftuar se gjeneral Sandër Lleshi do të emërohet në postin e zv/ministrit të brendshëm, por do të gëzojë kompetencat e ministrit. Ai tha se nuk ka tërheqje nga vendimi për ta bërë Lleshin ministër dhe se që nesër “do nisim t’i krijojmë bindjen Presidentit të Republikës”

“Mosdekretimi i Lleshit është në shkelje te Kushtetutës. Nuk kemi gjykatë kushtetuese dhe ne do gjejmë mënyra të tjera. Nuk ka asnjë lloj mëdyshje për mbështetjen e Lleshit, i cili ka Top cosmic- certifikata më e lartë e sigurisë nga NATO. Nesër do nisim t’i krijojmë bindjen Presidentit të Republikës”- mësohet të ketë thënë Rama në grupin e PS.

Parlamenti pritet të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00, për të votuar dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes së tij si ministër i Brendshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb