NGA: JETON SELIMI
Partizani ka gati 3 vjet dhe 9 ndeshje në total që nuk thyet në derbi, ndërsa të dielën në “Elbasan Arena” luhet akti i radhës mes të kuqve dhe Tiranës, që do të jetë ndryshe nga herët e tjera, sepse luhet jashtë kryeqytetit për shkak të problemeve me infrastrukturën pas shembjes së stadiumit “Qemal Stafa”. Trajneri italian i Partizanit, Adolfo Sormani, luan derbin e tij të parë dhe shpreson që t’u dhurojë tifozëve kënaqësinë e fitores, pasi ai nuk luan asnjëherë për të barazuar një ndeshje.

“Jam i informuar aq sa është e drejtë të dish për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, që është si çdo derbi në çdo vend të botës, ka një rivalitet historik, që për mënyrën sesi e shoh unë futbollin duhet të mbetet brenda kufijve të lojës, si ndeshje e luajtur deri në agoni, e dendur, e ndezur, por mbetet një ndeshje futbolli dhe ne do të kërkojmë t’u japim tifozëve atë kënaqësi që ata kërkojnë. Kuptoj që ndeshja është shumë e ndjerë, ne duhet ta jetojmë ndeshjen për t’u dhënë kënaqësi tifozëve, por edhe të fitojmë për kampionatin”, thotë Sormani.

Italiani jep dhe vlerësimin e tij për rivalin, ndërsa shprehet se bardheblutë janë rritur shumë, gjë që u vu re dhe në takimin kundër Kukësit. “Ata janë një skuadër që kanë një kondicion shumë të mirë fizik, të shpejtë dhe që vertikalizojnë shumë. Pashë ndeshjen me Kukësin. Janë një skuadër që po kalojnë një moment të mirë dhe kanë një mesfushor shumë të mirë, numri 13, që bën që loja të lëvizë me shpejtësi. E kemi parë me shumë kujdes dhe dimë gjithçka që duhet të dimë për t’u përballur”. Ndonëse skuadra e tij ka pasur probleme me finalizimin, tekniku nga Apeninet ka një tjetër mendim, teksa thotë se është i kënaqur nga loja sulmuese e të tij.

“Secili ka mendimin e tij. Skuadra gjuan shumë në portë dhe kjo është diçka e rëndësishme. Reparti që të dielën do të jetë vendimtar për ndeshjen, do të jetë mesfusha, sikundër është në pjesën më të madhe të ndeshjeve, sepse është reparti që jep ekuilibër, që lejon ekipin të qëndrojë shkurt në fushë dhe që u krijon mundësi sulmuesve të shënojnë. Kështu mesfusha bëhet shigjeta e peshores, që i jep mundësi skuadrës të shprehet, por të mos harrojmë se një skuadër luan mirë kur luan gjithë kolektivi, jo skuadra. Duhet të jetë intensive dhe të lëvizë mirë pa top. Formacioni? Unë formacionin e jap në çastin e fundit, e rëndësishme është që janë të gjithë mirë dhe fatmirësisht janë lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe kemi mundësi të zgjedhim,” përfundoi Sormani.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: