PANAMA– Presidentët amerikan, Barack Obama dhe kubanez, Raul Castro u mblodhën dje në Panama për një takim historik, i pari mes dy drejtuesve të këtyre dy vendeve armike të Luftës së Ftohtë që prej vitit 1956.

”Obama dhe Castro u takuan pasi bënë një foto me grupin e të gjithë presidentëve të pranishëm në Samitin e Amerikave që u zhvillua të premten dhe të shtunën në Panama”, theksoi një gazetar.

Presidenti amerikan, Barack Obama i kërkoi homologut kubanez, Raul Castro kthimin e faqes ndërkohë që Raul Castro iu përgjigj se të dy duhet të tregoheshin shumë të duruar gjatë procesit të afrimit, para një takimi historik kokë më kokë mes dy krerëve.

Të ulur krah për krah para shtypit, dy krerët morën fjalën secili sipas radhës, para një shtrëngimi duarsh nën blicet e aparateve fotografikë, në kuadër të samitit të Amerikave, në Panama.

Menjëherë më pas ata janë tërhequr për një takim kokë më kokë me dyer të mbyllura, i pari mes dy presidentëve amerikan dhe kubanez që prej vitit 1956.

“Me kohën, është e mundur për ne për të kthyer faqen dhe për të zhvilluar një marrëdhënie të re mes dy vendeve tona (…) edhe pse ne kemi mosmarrëveshje të thella dhe të rëndësishme”, deklaroi Obama, i pari që mori fjalën.

“Ne dëshirojmë të flasim për gjithçka, por ne duhet të jemi shumë të duruar, shumë të duruar”, u përgjigj Castro.

“Ka qenë një histori e komplikuar kjo e vendit tonë, por ne jemi të gatshëm të ecim përpara, ashtu si tha dhe presidenti amerikan, Obama”, shtoi ai.

Ky takim kushtuar ngrohjes së papritur të njoftuar në mes të muajit dhjetor të marrëdhënieve mes dy vendeve, mundëson kthimin e faqes që prej më shumë se një gjysmë shekulli të marrëdhënieve të përkeqësuara që prej revolucionit të Fidel Castros në vitin 1959.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: