Task-Forca e kanabisit & siguria publike, ishte tema e takimit të organizuar sot nga Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole, ku merrnin pjesë drejtues të institucioneve shtetërore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

I pranishëm në takim, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit  z.Gledis Nano vlerësoi punën e policive vendore të qarkut të Korçës, garantoi mbështetjen e plotë dhe shprehu besim se Qarku i Korçës do realizojë objektivat me një rezultat që do ta bëjë shembull për të gjitha qarqet e vendit. Zoti Nano përsëriti mesazhin se Policia e Shtetit është e vendosur  të luftojë çdo individ apo grup kriminal që kultivon kanabisin.

Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole vërejti se nga vlerësimet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe atij Vendor të Policisë, rezulton se situata me kanabisin për qarkun e Korçës nuk paraqet problematika serioze, ndaj e vlerësoi të nevojshme që t’i mëshojë jo vetëm kësaj teme, por edhe Sigurisë Publike në tërësi duke kërkuar nga të pranishmit që diskutimi të zgjerohej përtej kanabisit, me aspekte të tjera të sigurisë dhe tek masat që duhen marrë e zbatuar përgjatë sezonit turistik ku kemi hyrë.

Ai tha se siguria publike nuk lidhet vetëm me krimin e mirëfilltë, por është e lidhur edhe me aspekte të tjera, si rendi publik, qarkullimi i mjeteve, siguria kufitare, menaxhimi i situatave të ndryshme problematike, trafiqet, dhuna në familje, çrregullimi social, apo e gjithë sjellja shoqërore në përgjithësi, ndriçimi publik në territoret e bashkive, etj.

Jole theksoi se garantimi dhe rritja e parametrave të Sigurisë Publike nuk është vetëm puna e Policisë, por është patjetër përpjekja e të gjithë institucioneve dhe se na duhet të gjithëve të bëjmë ortakë në këtë përpjekje të vazhdueshme, familjen, komunitetin, shoqërinë, shkollat për sjelljen publike e civile në tërësi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb