Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, dy deputetët e opozitës parlamentare kanë paraqitur amendimin për amnistinë ku të përfshihen edhe kategori të tjera të cilat përfitojnë përfshi ata të cilët janë në proces gjykimi.

Taulant Balla nga mazhoranca ka reaguar menjëherë për këtë reagim duke i thënë Murrizit dhe Valterit se duan t’i bëjnë qokën Bashës i cili akuzohet për falsifikim dokumentash sa i përket lobimit të PD në SHBA.

Balla ka shtuar se nuk i takon Kuvendit të vendosë nëse duhet ta amnistohet Basha apo jo, por organeve të drejtësisë. Po ashtu ai ka përmendur edhe Salianjin.

Murrizi ka replikuar me Ballën duke i thënë se amnistia me faljen ndryshon, pasi mazhoranca po bën propagandë me vetëm 170 të burgosur të varfër të cilët po i amniston dhe sipas tij janë shumë pak.

Murrizi kërkoi që të lirohen të gjithë burrat që janë dënuar apo janë në proces për vepra që dënohen deri në 2 vite dhe 3 vite për gratë.

Gjithashtu ai kërkoi që të falen të gjitha gratë që janë në burg, por mazhoranca i rrëzoi amendamentet.

 

DEBATI NË KUVEND

Taulant Balla: Unë e mirëkuptoj Myslim Murrizin dhe Halit Valterin si dy deputetë që vijnë nga lista e PD dhe që gjenden në këtë sallë.

Duan ti bëjnë një qokë lulzim bashës për veprën e tij penale për të cilën Prokuroria e Shqipërisë ka ngritur një akuzë dhe është një hetim që vijon. Do të ishte aspak e ndershme nga Kuvendi që Lulzim Basha të amnistohet nga kjo paketë. Të jenë organet e drejtësisë që të vendoin nëse duhet të amnistohet apo jo.

Nëse Valteri e ka mendjen tek Basha kam hallin se Murrizi e ka për Salianjin.

 

Myslim Murrizi: Mora vesh pse keni marrë fukarenjtë që janë në burg dhe që nuk i keni futur në amnisti. Ata që ndërtojnë një çati apo një banjë pa leje.

Unë z.Balla nuk kam ardhur nga z.Basha në këtë Kuvend. Ti s’ke qene këtu kurse Basha i mbante trastën dikujt tjetër.

Kam ardhur këtu që të vendosë populli. Ka 1100 të tjerë dhe jo vetëm Lulzim Bashën të cilët nuk i kap amnistia. Se gjysma juaj në këtë Kuvend nuk i do as pallati dhe as lagjia.

Dhe nuk dua që të zgjidhen më këta persona, apo ju që ju bën serenata Basha poshtë dritares.

Të futen në amnisti edhe ata që janë në proces gjykimi. Falja me amnistinë ndryshon. Falja bëhet me emër. Dy dashuritë e Taulantit le t’i falë Presidenti se ai bën falje.

Në të gjitha ndryshimet që pamë me Valterin duhet të shtrihet gama e amnistisë dhe jo të bëni propaganda me 170 persona të varfër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb