GJIROKASTER- Krerë të OMONIA-s dhe përfaqësues të lartë të minoritetit nga të gjitha krahinat e Jugut të vendit kanë diskutuar në Dervician mbi çështje kritike të lidhura me të drejtat e minoritetit, mënyrën e përfaqësimit, çështjet e ndërlikuara të pronësisë mbi tokën dhe mbi të gjitha për Ligjin për Minoritetet që është duke u draftuar.

Sipas kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, procesi i hartimit të ligjit është shoqëruar me mungesë të vullnetit politik.

Sipas Dules, procesi që nisi 2 vjet më parë dhe pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti, nuk ka përfshirë ende aspekte të rëndësishme të të drejtave të minoriteteve etnike, gjuhësore apo pakicave të tjera.

Dule ka rikërkuar regjistrim të përgjithshëm të popullsisë, proces që sipas tij mund të përcaktojë qartë jo vetëm numrin, por edhe gjeografinë e vendosjes së minoriteteve në Shqipëri.
Sipas Dules jo vetëm nuk ka vullnet politik, por ai foli edhe për neglizhencë të qëllimshme dhe zvarritje në draftimin e këtij ligji që po përcaktohet si i posaçëm, ndërsa sipas tij duhet të ishte i natyrshëm.

Krerë të tjerë të OMONIA-s në bashkitë e minoritetit folën edhe për shqetësime që popullsia has me sistemin e drejtësisë në vend duke bërë që banorët të kenë besim të reduktuar ndaj gjykatave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: