NGA FATMIRA NIKOLLI*


“Ju kam lënë malin”, pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias, do të vendoset në Arsenale në një sipërfaqe prej 100 m2. Dje, Ministria e Kulturës ka bërë publike edhe listën me emra të pjesëmarrësve në Ekspozitën e 15-të Ndërkombëtare të Arkitekturës, që mbahet në datat 28 maj – 27 nëntor 2016. Realizimi i gjithë projektit në total kap shifrën e 24 milionë lekëve të rinj dhe në këtë përfshihen jo vetëm shpenzimet për projektin, por edhe qiraja. Ndërkaq, 10 emrat pjesëmarrës, i japin një tjetër përmasë prezantimit të “Ju kam lënë maliN”, siç do të mund të shihet më poshtë. Ndërkaq, Pavijoni i Venecias do të transformohet në një hapësirë të të dëgjuarit kolektiv. “Ju kam lënë malin” hap bisedën lidhur me urbanizmin e emigrimit, duke projektuar çështjen shqiptare në skenën ndërkombëtare, me qëllimin e qartë për t’i kthyer dialogun dhe spekulimet e saj, sërish në Shqipëri. Përmes këngëve që kanë të bëjnë me emigrimin, do të eksplorohet ideja e urbanizimit në vendin tonë, një urbanizim i ndikuar herë nga migrimi e herë nga emigrimi. “Po ju jap një përshkrim: është hapësirë ku dëgjohet, jo ku shihen foto e video. Nuk do të ketë imazhe, por folës, që do të luajnë këtë muzikë, por do të ketë edhe regjistrim të kësaj muzike. Por jo imazhe në mure. Kjo është eksperiencë universale – emigrimi ndodh kudo. Shqiptarët kanë një marrëdhënie të veçantë me të. Por, do të ketë autorë shqiptarë, francezë, e të tjerë – nga e gjithë bota, pra njerëz që tregojnë eksperiencën e tyre të emigrimit”, thanë për “GSH” në dhjetor kuratorët, teksa shpjegonin pavijonin shqiptar në Arsenale. Ata shtonin se: “Kur të shkoni në pavijon, do të hyni dhe do të dëgjoni këto këngë. Do të ketë stola ku mund të uleni dhe të lexoni tekstet e këngëve në një botim, ose do të uleni dhe t’i dëgjoni me sy mbyllur e të imagjinoni hapësirën, duke i lexuar ose jo këto tekste. Gjatë gjashtë muajve do të ketë leksione, ku ekspertë urbanizmi e arkitekture do të flasin, e vetëm në këto leksione do të ketë imazhe që projektohen”. “Të kam lënë malin”, është një frazë e marrë nga një këngë e vjetër iso-polifonike mbi emigrimin, dhe janë fjalët e një djali emigrant jashtë vendit për të ëmën që jeton ende në Shqipëri.

Realizimi
”Kuruar nga Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe kolektivi dizenjues Åbäke, pavijoni shqiptar i përgjigjet temës “Raportim nga Fronti” të kuratorit të Bienales Alejandro Aravena, duke paraqitur një gjendje që ka përcaktuar teksturën urbane të Shqipërisë: arkitektura e zhvendosjes dhe migrimit”, njofton Ministria e Kulturës.

Në vijim të njoftimit, MK, sqaron se kuratorët kanë porositur tekste të reja rreth arkitekturës së zhvendosjes nga shkrimtarë, poetë e krijues të skenës ndërkombëtare, ku përmenden: poeti Etel Adnan, poeti Mourid Barghouti, shkrimtari Michel Butor, artistja Claire Fontaine, arkitekti Yona Friedman, artisti Anri Sala, antropologu Michael Taussig, ekonomisti Yanis Varoufakis, shkrimtarja Ornela Vorpsi dhe urbanisti Finn Williams. Tekstet interpretohen nga këngëtarët më të mirë iso-polifonikë shqiptarë. Këngët do të dëgjohen në pllaka gramafoni 30 cm, të cilat do të luajnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales së Venecias si një instalim 8-kanalësh. Zërat e Shqipërisë do të mbushin pavijonin.
Katër grupe kanë kontribuar talentin e tyre muzikor dhe krijues për të realizuar këtë incizim të veçantë. Grupi nga Fieri, udhëhequr nga Shaban Zeneli me: Petrit Canaj, Llazar Dumi, Kastriot Halihoxha, Nesim Meno, Muharrem Mezani, Guri Rrokaj, Fatmir Tahiraj; grupi ‘Bilbili’ nga Vlora, organizuar nga Sejmen Gjokoli, me: Adriatik Genko, Viktor Gjoka, Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj, Piro Latifaj, Dejrim Muhafaraj, Trifon Mulaj; grupi nga Tirana me: Dhurim Ballo, Sotir Ballo, Nazo Celaj, Trifon Golemi, Mehmet Vishe, Hyso Xhaferraj; e së fundi grupi i grave nga Himara, me: Luljeta Çipa, Valentina Gerdhuqi, Violeta Gerdhuqi, Zaharulla Koka, Polite Merkuri, Eglanda Prifti dhe Vojsava Zenelaj, organizuar nga Kristo Çipa.

Emrat
Përtej shënimeve për profesionin, emrat që do të përgatisin tekste enkas për këtë projekt, pra për “Të kam lënë malin”, janë autoritete në fushat e tyre. Duke “lënë mënjanë” Anri Salën (shpallur artisti më i mirë i Francës dhe aktualisht me ekspozitë në New York) dhe Ornela Vorpsin(piktore dhe shkrimtare – pjesë e Best European Fiction), që për publikun shqiptar janë të njohur si dy artistë që, veçse në Shqipëri, kanë pasur sukses edhe jashtë saj, as emrat e tjerë nuk janë më pak të rëndësishëm. Veçojmë arkitektin Yona Friedman apo ish-ministrin grek të Financave, Yanis Varoufakis. Jetëshkrime të shkurtra për ta, zbulojnë më shumë emrat që do jenë pjesë e pavijonit shqiptar, emra që në më të shumtën e kanë përjetuar vetë të thonë “të kam lënë malin”.

Mourid Barghouti është një poet e shkrimtar palestinez. Pas luftës 6-ditore të vitit 1967 atij iu ndalua kthimi në atdhe. Në vjeshtën e vitit 1977, Barghouti u deportua nga Egjipti(ku jetonte me familjen) dhe u lejua të kthehej vetëm pas 17 vitesh. Ai dhe e shoqja(egjiptiane) me të birin kanë jetuar 17 vite larg njëri-tjetrit, ajo në Kajro e ai në Budapest.

Michel Marie François Butor ka lindur në Mons-en-Barœul, periferi e Lille-t në Francë. Ai ka studiuar filozofi në Sorbonne, ku është diplomuar më 1947. Ka dhënë mësim në Egjipt, Mançester, SHBA dhe Gjenevë e ka fituar disa çmime letrare, përfshirë “Prix Apollo”, “Prix Fénéon” dhe “Prix Renaudot”.
Claire Fontaine e ka marrë emrin nga një markë e njohur fletoresh shkolle. Ajo ka zhvilluar një art neo-konceptual dhe ka punuar në neon, video, skulpturë, pikturë dhe tekst; puna e saj i ngjan një pyetësori të vazhdueshëm mbi pafuqinë e politikës dhe krizën që duket se përkufizon artin bashkëkohor sot.

Yona Friedman, arkitekt franko-hungarez, është bërë i njohur në vitet 1950-1960 në të ashtuquajturën epokë të megastrukturave. Friedman ka zhvilluar konceptin e qytetit hapësinor bazuar në idenë se arkitektura duhet vetëm të përcaktojë kornizat ku banorët vetë ndërtojnë shtëpitë bazuar mbi idetë dhe nevojat e veta. Struktura tradicionale e qytetit, sipas Friedman, nuk është për shoqërinë e re. Ai sugjeroi struktura të lëvizshme e të përkohshme në vend të arkitekturës tradicionale të kushtueshme. Ndërkaq, 18 vizatime të tij janë në sajtin online të muzeut “Moma” në New-York.

Etel Adnan (1925), Beirut, Liban. Ka studiuar filozofi në Sorbonne, më pas në Harvard. Është solidarizuar me luftën e Algjerisë për pavarësi dhe është marrë me artet pamore. Ajo ka qenë pjesë e lëvizjes së poetëve kundër luftës në Vietnam.

Michael Taussig (1940), antropolog australian, mban titullin doktor në antropologji nga “London School of Economics”. Ai ka publikuar disa materiale mbi antropologjinë mjekësore, por njihet më së shumti për lidhjen me teorinë e Marksit mbi fetishizmin e mallrave, veçanërisht në termat e punës. Ka fituar një “Berlin Prize” më 2007 nga “American Academy” në Berlin.

Urbanisti Finn Williams është një arkitekt që jeton në Londër. Ka punuar në Roterdam dhe qytete të tjera të Europës, ndërsa ka fituar një çmim arkitekture në Londër. Punët e tij janë ekspozuar në Bienalen e Venecias, në Tate Modern, në Muzeun e Varshavës dhe në muze të tjerë etj.

Yanis Varoufakis(1961) është ekonomist grek. Ka qenë edhe anëtar i parlamentit grek në muajt janar-shtator 2015. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Financave të Greqisë për këta shtatë muaj derisa dha dorëheqjen. Varoufakis është pjesë e debateve të fundit mbi krizën globale e europiane.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)