Ditën e sotme është publikuar lista me 420 kandidatët, nga të cilët do të zgjidhen 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Deri tani, janë tre persona, emrat e të cilëve janë përfshirë në listë, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni në lidhje me kandidimin e tyre.

Regjisori Kastriot Çipi, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, ka sqaruar se dijeni për përfshirjen e emrit të tij në listë, ka marrë vetëm nga portalet.

Ai tha se shpreson që kjo nuk është lista përfundimtare dhe emri i tij të mos jetë vërtetë i përfshirë në fletët zyrtare të votimit, proces që do të kryhet nesër.

“Te nusja hanë e pinë, te dhëndri gjë nuk dinë…

Një listë kandidatësh për Këshillin e ri Kombëtar të PD, për habinë time, përfshika edhe emrin tim, me numrin rendor 247.

Nuk e di kush e ka përpiluar listën dhe nuk e di a është listë paraprake, me propozime, apo listë zyrtare kandidatësh.

Di që unë nuk kisha dijeni, derisa e pash emrin në portale. Uroj të jetë një keqkuptim dhe fleta zyrtare e votimit nesër, të mos e përmbajë emrin tim. U uroj suksese të gjithë kandidatëve të rinj!”, ka shkruar ai.

Dy personat e tjerë të cilët deklaruan se nuk kishin dijeni për përfshirjen në lista, ishin Vesel Koçiu, ish kryetar i Sarandës dhe këngëtarja, Bleona Qereti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: