Mes spekulimeve në rritje se Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të lëshojë urdhër-arreste kundër zyrtarëve izraelitë në ditët në vijim lidhur me luftën kundër Hamasit në Gaza, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ky institucion nuk ka juridiksion në këtë rast.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka juridiksion në luftën e Izraelit me Hamasin,” tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Në përgjigje të raporteve të mediave izraelite se GJNP mund të lëshojë së shpejti urdhër-arreste për zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ushtarakëve izraelitë, Ministri i Jashtëm Israel Katz paralajmëroi të dielën ambasadat izraelite që të forcojnë sigurinë e tyre për shkak të rrezikut të një “vale të ashpër antisemitizmi”.

“Ne presim që gjykata të përmbahet nga lëshimi i urdhrave të arrestit kundër zyrtarëve të lartë politikë dhe të sigurisë izraelite,” tha Katz. “Ne nuk do të përulim kokën apo të pengohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të premten se çdo vendim nuk do të ndikonte në veprimet e Izraelit, por do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Zyrtarët izraelitë janë të shqetësuar se gjykata mund të lëshojë urdhra arresti kundër Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për shkelje të dyshuara të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza, kanë raportuar mediat izraelite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb