Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës me anë të një postimi në Facebook, ku është shprehur se me sulmet e grupeve kriminale po cenohet paqja në Kosovë e rajon.

Ai shtoi gjithashtu se ky është momenti i fundit që “regjimi i Beogradit” të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, ndërsa shkroi më tej se luftërat në Ballkan janë një kapitull i mbyllur.

“Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”.

“Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve! Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!”, shkroi Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: