Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me situatën në Kosovë pas tensioneve në veri të vendit.

Ai u shpreh se situata e Kosovës është kriza e dytë globale sa i përket sigurisë pas Ukrainës, ndërsa shtoi se Prishtina po portretizohet me një “fotografi të zymtë” në mediat ndërkombëtare.

Sipas tij Albin Kurti me mendësinë e tij solli këtë situatë duke u shprehur se zanafilla e kësaj gjendjeje ishte kërkesa e kryeministrit të Kosovës për targat vitin e kaluar.

Nga ana tjetër ish-zëvendësministrja e Jashtme Edith Harxhi u shpreh se Albin Kurti është problemi kryesor në këto momente për të tejkaluar këtë krizë mes Kosovës dhe Perëndimit.

Megjithatë, sipas saj fajtori kryesor i kësaj situate është Vuçiç që po përpiqet të mbulojë problemet e tij të brendshme në Serbi.

Kastrati:

Kemi një situatë ku Kosova po del me një foto të zymtë në mediat ndërkombëtare. Është kriza e dytë globale pas Ukrainës sa i përket sigurisë. Nëse vijmë te burimi i krizës kthehemi vitin e kaluar ku kërkesa e Kurtit për targat ishte e panevojshme. Me mendësinë që ka ky vazhdoi dhe ja ku jemi sot me një realitet ku grupet e strukturuara nga Vuccicci janë pranë. Këtu nuk ka risi, këta e kanë për detyrë. Nga ana tjetër kemi dënime në nivele të larta duke parë deklaratat e ndërkombëtarëve. Këtë ashpërsim e do Serbia dhe Rusia.

Harxhi:

Albin Kurti është problemi kryesor në këto momente për të tejkaluar këtë krizë mes Kosovës dhe Perëndimit. Më vjen mirë që Escobar u shpreh se kjo nuk është me Kosovën dhe u qartësua gjuha. Unë mendoj se Kurti nuk kishte arsye pse mos të futej në komuna ditët e para meqenëse ndërkombëtarët përgëzuan zgjedhjet dhe i njohën. Fajtori kryesor i kësaj situate është Vuçiç që po përpiqet të mbulojë problemet e tij të brendshme në Serbi. Ai sot deklaroi se edhe nëse vdes do jetë djali tij, e kështu me radhë në vend të tij.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: