TURQI

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u shfaq i hapur në lidhje me një takim të mundshëm me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, në kontekstin e dialogut dypalësh që Greqia dhe Turqia po fillojnë. Teksa largohej nga një xhami për lutjet e së premtes, Erdogan u shpreh se në të gjiha takimet me liderët europianë kur i është kërkuar që të takohet me palën greke dhe kryeministrin Mitsotakis, përgjigjja e Ankarasë ka qenë pozitive.

Bisedimet janë zhvilluar midis ministrave të jashtëm, tha ai, duke shtuar se edhe kontaktet eksploruese mund të fillojnë. “Ose përmes delegacioneve përkatëse ose më vonë mund të takohem me kryeministrin e nderuar,” -tha Presidenti turk. “Ne mund t’i ndërmarrim këto hapa. Zhvillimet po shkojnë drejt këtij hapi, shtoi ai.

Që kur kryeministri Rama vizitoi Turqinë dhe pas saj Greqinë, u dëgjuan zëra se ai ishte duke negociuar një takim në nivele të larta mes dy vendeve. Nga ajo ditë pati sinjale pozitive kur u njoftua se Greqia dhe Turqia do të takohen në Stamboll më 25 janar. Lajmin e dha Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë e cila deklaron se raundi i parë i kontakteve eksploruese të 61-ta me Turqinë do të zhvillohet në Stamboll më 25 Janar 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb