MALLAKASTER- Policia ka zbarkuar në terren për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kështu në sajë të një operacioni të kryer nga Policia e Mallakastrës dhe drejtoria vendore e Fierit, e mbështetur nga FNSH, kanë bërë kontrolle të befasishme në lokale e akse rrugor për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Burime zyrtare thanë se janë shoqëruar për verifikim 8 shtetas me precedentë penalë në fushën e krimeve ndaj jetës e pronës. Ndërkohë, në pranga ranë dy persona, që ishin shpallur në kërkim.


Konkretisht u ndaluan shtetasit Fatmir Merkaj, 26 vjeç, banues në Kutë dhe Muharrem Saliaj, 65 vjeç, banues në Fier. 26-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga policia e Fierit për veprën penale “Tentativë vrasje”, për të cilën Gjykata e ka dënuar me 6 vite burgim. Kjo pasi ai në datën 20.08.2016, në fshatin Kutë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasi me armë zjarri shtetasin T.A, 40 vjeç.

Sakaq, Saliaj u ndalua për llogari të policisë së Gjirokastrës, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilën Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”.
(ed.me/BalkanWeb)