Policia e Korçës ka reaguar pas publikimit të videos së rëndë, ku një person është dhunuar nga një oficer policie në shkallët e një pallati.

Oficeri i policisë i identifikuar si Gjergji Riza, i cili ka dhunuar Ervin Norolla, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe është kërkuar hetim disiplinor.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë

Në lidhje me një video të publikuar në media, në të cilën shfaqet një shtetas që ushtron dhunë fizike ndaj një shtetasi tjetër, në korridorin e një pallati, dhe pas verifikimeve rezultoi se shtetasi që ka ushtruar dhunë është punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, ju sqarojmë se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë ka pezulluar menjëherë nga detyra, punonjësin e Policisë, nënkomisar Gj. R., me detyrë specialist në Sektorin e Analizës Strategjike, Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit, në DVP Korçë.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor, për këtë punonjës policie, për shkelje të rëndë.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në korridorin e një pallati, në Pogradec, gjatë muajit janar të këtij viti, për shkak se shtetasi i dhunuar K. N. dyshohej se më datë 22.01.2023, gjatë natës, kishte tentuar të digjte klinikën e bashkëshortes së punonjësit të Policisë Gj. R.

Po nga verifikimet rezulton se shtetasi K. N., 35 vjeç, banues në Pogradec, është arrestuar më datë 07.02.2023, në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Pasagjeri”, për veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta.

Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët, që të denoncojnë raste të abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, duke i garantuar se nuk do të tolerojë asnjë punonjës policie që abuzon me atributet që iu jep detyra, në kohën e shërbimit apo dhe jashtë shërbimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb